Delegacioni i Bashkimit Evropian (BE) në Shkup iu përgjigj letrës së paraqitur nga tetë organizata të shoqërisë civile nga Maqedonia e Veriut në lidhje me njoftimin publik nga Drejtori i Agjencisë për Ushtrimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, raporton Anadolu, përcjell Portalb.mk.
Sipas organizatave të shoqërisë civile, Delegacioni deklaroi se është plotësisht në dijeni të rastit, po ndjek nga afër zhvillimet dhe tashmë ua ka përcjellë qëndrimin e tij autoriteteve kompetente.
“Qëndrimi i Bashkimit Evropian për Ratko Mladiqin është i qartë – madhërimi i kriminelëve të luftës nuk ka vend në vendet që i përkasin BE-së ose aspirojnë të bëhen anëtarë të saj”, thuhet në përgjigje.
Aty theksohet se Bashkimi Evropian është themeluar mbi respektin për dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë dhe mosdiskriminimin.
“Në përputhje me këto vlera themelore, nuk ka vend në shoqërinë evropiane për të mbështetur mohimin e gjenocidit, as për të lavdëruar personat e dënuar ligjërisht për krime lufte para Tribunalit të Hagës dhe pasardhësit të tij ligjor”, thuhet në përgjigje.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.
Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.
Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.