Dy partnerët kryesorë të koalicionit në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, VMRO-DPMNE dhe VLEN do të maten në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në Komunën e Bërvencës, transmeton Portalb.mk.
VMRO-DPMNE si fituese e fundit e zgjedhjeve në këtë komunë, do të garojë me Stojanço Radiçevskin. Kjo parti në zgjedhjet e fundit ishte në balotazh me kundërkandidatin e VLEN-it.
VLEN-i në këto zgjedhje nuk do të garojë me Haqim Ramadanin, i cili në zgjedhjet e fundit ishte në balotazh. Ai gjatë dhe pas balotazh ka pasur fërkime me udhëheqësit e VLEN-it, por u kthye përsëri në VLEN, por jo si kandidat për kryetar në Bërvenicë, por si i punësuar në Komunën e Çairit.
Në këto zgjedhje, VLEN-i do të përfaqësohet nga Jakup Huseinin, ndërsa BDI-ja në kuadër të koalicionit AKI do të përfaqësohet me kandidatin Arkin Jahijin, ndërsa LSDM-ja opozitare do të jetë me Jovica Radeskin.
Me afrimin e 18 tetorit ku do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, partitë politike kanë fillluar të bëjnë llogaritë zgjedhore.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës do të mbahen më 18 tetor, zgjedhjet mbahen pasi në qershor ndërroi jetë kryetari i komunës, Jovica Ilievski, i cili ishte nga radhët e VMRO-DPMNE-së.
Fushata zgjedhore do të fillojë më 21 shtator dhe do të zgjasë deri më 16 tetor.
Në zgjedhjet e rregullta lokale të vitit të kaluar, Komuna e Bërvenicës ishte një nga komunat më të diskutuara, ndërsa gara mori më tepër karakter etnik, ku përplasje përveç opozitës dhe pozitës, pati edhe midis partnerëve në qeveri VMRO-VLEN.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në 10 fshatrat e Komunës së Bërvenicës ka 13,645 banorë, nga të cilët 7,377 janë shqiptarë, 5,715 maqedonas dhe 1 rom.