Ish zëvendësministrja e Mbrojtjes dhe kryetarja e Asamblesë së Gruas pranë Aleancës për Shqiptarët krahu i Taravarit, Elfete Ismaili, ka reaguar lidhur me, përjashtimin e vazhdueshëm të Shqiptarëve nga përfaqësimi në institucionet e sigurisë në Maqedonisë së Veriut. Ajo thekson se në zhvillimet e fundit në Ministrinë e Mbrojtjes vërehet mungesë e dukshme e përfaqësimit shqiptar. Sipas saj, në kursin e fundit për oficerë janë përzgjedhur 16 kandidatë, të gjithë të përkatësisë maqedonase, pa asnjë shqiptar, transmeton Portalb.mk.
Ismaili ngriti shqetësim edhe për përfaqësimin në misionet diplomatike ushtarake, duke theksuar se në selinë e NATO në Bruksel nuk ka përfaqësues shqiptar. Sipas saj, edhe në Berlin dhe Ankara, atashe ushtarakë shqiptarë janë zëvendësuar me përfaqësues të nacionaliteteve të tjera.
“Në kursin për oficer para 1 muaji e ca, janë përzgjedhur 16 kandidatë të gjithë Maqedonas, pa asnjë përfaqësues Shqiptar. Në misionet diplomatike, e njëjta logjikë përjashtuese po vazhdon: në Bruksel-NATO asnjë Shqiptarë, në Berlin një atashe Shqiptar zëvendësohet me një Maqedonas; në Ankara një tjetër Shqiptar zëvendësohet dhe vendin e tij e merr përfaqësues nga një nacionalitet tjetër. Kjo nuk është rastësi kjo është një qasje sistematike që po vazhdon. Kjo nuk është çështje e “meritës”, siç mund të tentohet të paraqitet. Është çështje e balancës, e drejtësisë dhe e respektimit të një realiteti multietnik që nuk mund dhe nuk duhet të injorohet”, thuhet në reagim.
Ajo vlerëson se këto zhvillime prekin parimet e balancës dhe bashkëjetesës në një shtet multietnik, duke shtuar se përfaqësimi i drejtë nuk duhet parë vetëm si çështje meritash, por edhe si reflektim i realitetit shoqëror.
Sipas Ismailit, përjashtimi i vazhdueshëm i një komuniteti nga institucionet kyçe ndikon në besimin e qytetarëve ndaj shtetit dhe ndjenjën e përkatësisë së tyre.
“Kur një popull i tërë përjashtohet vazhdimisht nga institucionet kyçe, në rastin konkret Shqiptarët, atëherë kemi të bëjmë me diskriminim të maskuar dhe me një politikë që minon bashkëjetesën. Të thuash “nuk vleni” përmes veprimeve institucionale është shumë më e rëndë sesa çdo fjalë e thënë publikisht. Sepse këto vendime nuk janë vetëm simbolike, ato ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e qytetarëve ndaj shtetit dhe në ndjenjën e përkatësisë së tyre”, thotë Ismaili.
Në reagimin e saj, ajo kritikoi edhe VLEN-in për mungesë reagimi, duke theksuar se heshtja në këto raste dëmton interesin e qytetarëve shqiptarë.
Ajo bën thirrje për reflektim dhe veprime konkrete për të siguruar përfaqësim më të drejtë dhe gjithëpërfshirës në institucionet e sigurisë dhe diplomacisë.
“Kërkojmë përfaqësim të drejtë. Kërkojmë që institucionet e shtetit të reflektojnë bashkëjetesën dhe diversitetin që ky vend ka. Nëse kjo qasje vazhdon, pasojat nuk do të jenë vetëm politike, por edhe shoqërore. Një shtet që mbyll dyert për pjesën tjetër shumicë të qytetarëve të tij, rrezikon të humbasë vetë themelin mbi të cilin qëndron. Dhe ajo që e bën këtë situatë edhe më të papranueshme është heshtja dhe paaftësia e VLEN-it për të mbrojtur interesin shqiptar një heshtje që po kthehet në bashkëpërgjegjësi”, shkruan Ismaili.
Kujtojmë se çështja e rëndësisë së legjitimitetit politik në Maqedoninë e Veriut u riaktualizua pas shfuqizimit mekanizmit të “Balancuesit” dhe kontestimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, me të cilin rregullohet edhe përdorimi i gjuhës shqipe, si dhe zvogëlimin e numrin të deputetëve shqiptarë në shumicën aktuale parlamentare.