Qindra qytetarë kanë nënshkruar një deklaratë publike kundër pohimit të kryeministrit Hristijan Mickoski se Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut nuk e lejon arsimin e lartë në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes. Iniciativa e ngritur nga Shoqata për Zhvillim Shoqëror “Për Tetovën” kërkon nga Bashkimi Evropian, ambasadat perëndimore dhe OSBE-ja që të reagojnë ndaj deklaratës dhe të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave gjuhësore në arsim, transmeton Portalb.mk.
Reagimi vjen pas deklaratës së Mickoskit nga foltorja e Kuvendit, më 26 nëntor, kur ai tha se Kushtetuta lejon arsimin fillor dhe të mesëm në gjuhë të tjera, por jo edhe arsimin e lartë. Kryeministri pranoi se ligji aktual e parasheh arsimin e lartë në gjuhën shqipe, por e cilësoi këtë si një “implant”.
Nënshkruesit e deklaratës e cilësojnë këtë pohim si të pavërtetë dhe në kundërshtim me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Sipas tyre, Amendamenti V i Kushtetutës përcakton statusin zyrtar të gjuhëve, por nuk përmban ndonjë kufizim për gjuhën e mësimit në universitete, ndërsa Amendamenti VIII garanton identitetin gjuhësor të bashkësive dhe të drejtën për themelimin e institucioneve shkencore dhe arsimore.
“Ky pohim është i pavërtetë. Nuk është çështje interpretimi. Ai bie ndesh me tekstin e Kushtetutës, me ligjet në fuqi dhe me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, mbi të cilën mbështetet rendi kushtetues i vendit që nga viti 2001”, thonë nga Shoqata për Zhvillim Shoqëror “Për Tetovën” si nismëtare e kësaj iniciative.
Ata i referohen edhe nenit 144 të Ligjit për arsimin e lartë, i cili parasheh të drejtën e pjesëtarëve të bashkësive për të studiuar në gjuhën e tyre në universitetet publike dhe obligimin e shtetit për financimin e arsimit të lartë në gjuhën që flitet nga së paku 20 për qind e popullsisë. Si argument përmendin edhe Universitetin e Tetovës dhe Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, të cilat financohen nga shteti.
Në iniciativë thuhet se, deklarata e kryeministrit nuk është rast i izoluar, por vjen në një periudhë kur është hapur çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe kur në Kuvend ndodhet një projektligj i ri për arsimin e lartë.
“Kjo ndodh në një kohë kur vetë Qeveria, në bisedimet me Bashkimin Evropian, këmbëngul për një Plan veprimi për të drejtat e pakicave. Një qeveri që kërkon garanci për të drejtat e pakicave jashtë vendit nuk mund t’ua mohojë të drejtat ekzistuese qytetarëve të vet brenda vendit”, thuhet në nismë.
Për këtë arsye, ata kërkojnë që Qeveria ta korrigjojë publikisht deklaratën e Mickoskit dhe të konfirmojë se Kushtetuta nuk e kufizon arsimin e lartë në gjuhën maqedonase. Gjithashtu, kërkojnë që ligji i ri për arsimin e lartë të mos i dobësojë të drejtat për arsimim në gjuhët e bashkësive dhe financimin e tyre nga shteti.
Deklarata u është drejtuar Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, ambasadave të vendeve anëtare të BE-së, Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Norvegjisë dhe Zvicrës, si dhe Misionit të OSBE-së në Shkup dhe Komisionerit të Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare.