Çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe sipas kërkesës së studentëve assesi nuk po gjen zgjidhje. Kryeministri Hristijan Mickoski sot deklaroi se provimi i jurisprudencës nuk do të mbahet tërësisht në gjuhën shqipe, pasi pjesa praktike do të zhvillohet në maqedonisht. Ndërkaq, zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, në një deklaratë për Portalb.mk tha se po punohet për gjetjen e zgjidhjes e cila do të vlejë edhe për provimet e tjera profesionale. Studentët janë të gatshëm të vazhdojnë dialogun, por kërkojnë argumente juridike, përgjegjësi dhe afate konkrete, shkruan Portalb.mk.
Mickoski tha se kandidatët do të mund ta japin pjesën që lidhet me studimet e tyre në gjuhën në të cilën kanë studiuar, përfshirë shqipen, turqishten dhe anglishten. Ndërsa pjesa ku simulohen procedurat penale dhe civile do të zhvillohet në maqedonisht.
“Zgjidhja që do t’i ofrohet Qeverisë në seancë përmban dy pjesë: pjesa e parë thotë se studentët do të kenë mundësi që pjesën e cila lidhet me studimet e tyre deridiplomike në gjuhë tjetër nga gjuha maqedonase që nënkupton në shqip, turqisht dhe anglisht, të testohen në gjuhën në të cilën kanë studiuar. Në pjesë ku simulohet procesi gjyqësor në pjesën e procedurës penale dhe procedurës civile do të jetë në përputhje me linjën maqedonase dhe kjo nënkupton se sistemi gjyqësor mbetet në linjën e gjuhës maqedonase sepse ajo lidhet me sundimin e ligjit dhe jo me të drejta të tjera ose veprime politike që ndërlidhen me atë”, deklaroi Mickoski.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, në një deklaratë për Portalb.mk tha se çështja po zgjidhet dhe se zgjidhja do të përfshijë edhe provimet e tjera profesionale.
Sali përgjegjësinë për gjendjen aktuale ia atribuoi pushtetit të kaluar. Ai tha se Qeveria po e korrigjon padrejtësinë ndaj studentëve dhe se propozimi i saj është në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
“Kjo çështje po zgjidhet. Madje, jo vetëm për këtë provim, por edhe për provimet e tjera të kësaj natyre. Duke e korrigjuar këtë padrejtësi që ua kanë bërë studentëve ajo klasë politike, zgjidhja e ofruar nga ne tash është konform Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve”, tha Sali.
Ai tha se mbështet vazhdimin e dialogut me studentët, me qëllim që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme.
“E mbështes vazhdimin e dialogut me studentët, përfaqësuesit e fakulteteve juridike dhe Ministrinë e Drejtësisë. Qëllimi ynë nuk është të ofrojmë zgjidhje të pjesshme që krijojnë pakënaqësi të reja, por zgjidhje të qëndrueshme që respektojnë të drejtat e qytetarëve”, deklaroi Sali.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i studentëve, Mevlan Ademi, tha për Portalb.mk se studentët janë të gatshëm të vazhdojnë dialogun, por kërkojnë që bisedimet të sjellin argumente juridike, afate dhe përgjegjësi konkrete.
Ademi vlerësoi se propozimi i fundit është avancim krahasuar me propozimet e mëparshme, por nuk e përmbush kërkesën e studentëve që provimi të mbahet tërësisht në gjuhën shqipe.
“Zgjidhja e ofruar është një avancim krahasuar me propozimet e mëparshme falë angazhimit dhe protestës tonë, por ende nuk përbën zgjidhjen e plotë që kërkojmë”, tha Ademi.
Ai tha se studentëve nuk u është dhënë një shpjegim i qartë juridik se pse Ligji për përdorimin e gjuhëve nuk mund të zbatohet për këtë provim dhe pse kandidatët nuk mund t’i japin përgjigjet në shqip.
“Askush nuk na ka shpjeguar bindshëm pse provimi nuk mund të zhvillohet 100% në gjuhën shqipe. Edhe duke marrë parasysh argumentin e ngritur për gjuhën e procedurave gjyqësore, përse të paktën përgjigjja e kandidatit të mos mund të jepet në shqip? Edhe kjo mundësi u refuzua gjatë takimit”, deklaroi Ademi.
Një tjetër shqetësim i studentëve është mungesa afatit konkret për zgjidhjen e çështjes. Sipas Ademit, edhe në skenarin më të mirë, zbatimi i propozimit mund të marrë më shumë se një vit. Ai kundërshton edhe dërgimin e çështjes në Komisionin e Venecias, pasi vlerëson se kjo mund ta vonojë zgjidhjen.
Ademi përmendi edhe propozimin e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, që 84 përqind e provimit të zhvillohet në gjuhën shqipe. Sipas tij, kryeministri e vuri në pikëpyetje këtë propozim që të nesërmen.
“Ndërkohë, ministri propozon një zgjidhje me 84% të provimit në shqip, ndërsa Kryeministri të nesërmen e vë në pikëpyetje edhe atë. Përballë këtyre qëndrimeve kundërthënëse, mbi çfarë garancie konkrete duhet të mbështeten studentët?”, u shpreh Ademi.
Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare.
- LEXO: Studentët paralajmëruan protestë, nuk e pranuan propozimin e Shasivarit për jurisprudencën
- LEXO: Provimi i jurisprudencës kërkohet në disa gjuhë, Shasivari: Në tetor do ta demonstrojmë zgjidhjen, reaguan studentët
- LEXO: Jurisprudenca ende pa zgjidhje, nga shtatori i Salit tani kaloi te tetori i Shasivarit
- LEXO: Nga “brenda një jave” e Salit te “së shpejti” e Gashit, studentët e UT-së kërkojnë provime në shqip