Studentët shqiptarë paralajmërojnë rikthimin e protestave nëse institucionet nuk u japin përgjigje konkrete për kërkesën që provimi i jurisprudencës të jepet tërësisht në gjuhën shqipe. Ata kundërshtojnë vendimin e Qeverisë për dërgimin e propozimit në Komisionin e Venecias, duke e konsideruar këtë si përpjekje për ta zvarritur këtë çështje. Javën e ardhshme pritet të vendosin për hapat e radhës, shkruan Portalb.mk.
Përfaqësuesi i studentëve, Mevlan Ademi, tha se protesta mbetet opsion, por para se të vendosin për organizimin e tyre, do të shqyrtojnë mundësinë e një përpjekjeje të fundit për bisedime me institucionet.
“Për javën e ardhshme kemi thirrur një mbledhje të grupit organizativ për të vendosur për hapat e radhës. Protesta mbetet opsion. Para se të marrim atë vendim, do të diskutojmë mundësinë e një përpjekjeje të fundit për bashkëbisedim me institucionet. Pas kaq muajsh, nga ai takim presim një përgjigje konkrete se kur dhe si do të mund të jepet i gjithë provimi në shqip. Nëse edhe kjo përpjekje përfundon pa rezultat, si studentë vështirë se shohim rrugë tjetër përveç rikthimit në protesta paqësore”, deklaroi Ademi për Portalb.mk.
Ai tha se studentët e kundërshtojnë vendimin e Qeverisë për dërgimin e propozimit për provimin e jurisprudencës në Komisionin e Venecias, pasi sipas tyre, Kushtetuta dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve tashmë e rregullojnë përdorimin zyrtar të shqipes.
Ademi tha se Qeveria ka pritur nëntë muaj për ta dërguar propozimin, ndonëse kryeministri që më 10 shkurt kishte folur publikisht për këtë mundësi.
“Që më 10 shkurt, Kryeministri foli publikisht për dërgimin e një propozimi në Komisionin e Venecias. Nëse Qeveria e konsideronte të domosdoshëm këtë mendim, përse nuk veproi që atëherë? Përse priti nëntë muaj për të kërkuar në nëntor një mendim që tani e quan urgjent?”, tha Ademi.
Ai kundërshtoi edhe përmbajtjen e propozimit të kryeministrit Hristijan Mickoski, sipas të cilit pjesa teorike e provimit mund të jepet në shqip, maqedonisht, anglisht dhe turqisht, ndërsa pjesa praktike vetëm në gjuhën maqedonase.
“Duke e lidhur përdorimin e shqipes vetëm me gjuhën në të cilën ka studiuar kandidati, ai anashkalon Kushtetutën dhe shpërfill një fakt themelor: shqipja është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Kjo praktikë është e rrezikshme, sepse e kthen pas përdorimin zyrtar të shqipes”, theksoi Ademi.
Ndërkohë, Qeveria ditë më parë miratoi kërkesën për të marrë mendim urgjent nga Komisioni i Venecias për modelin e propozuar të dhënies së provimit të jurisprudencës. Ministria e Drejtësisë thotë se kërkon vlerësim për përputhshmërinë e këtij modeli me Kushtetutën dhe standardet evropiane. Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Bekim Sali e paraqiti vendimin si hap drejt realizimit të së drejtës për dhënien e provimit në shqip. Megjithatë, ende nuk bëhet fjalë për miratimin e një ligji që garanton këtë të drejtë. Propozimi aktual parasheh që pjesa me gojë të mbahet në maqedonisht, ndërsa ajo me shkrim në gjuhën në të cilën kandidati ka studiuar.
Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare.
- LEXO: Mickoski e përjashtoi provimin e jurisprudencës 100% në shqip, Sali vazhdon të premtojë zgjidhje, studentët kërkojnë afate konkrete
- LEXO: Studentët paralajmëruan protestë, nuk e pranuan propozimin e Shasivarit për jurisprudencën
- LEXO: Provimi i jurisprudencës kërkohet në disa gjuhë, Shasivari: Në tetor do ta demonstrojmë zgjidhjen, reaguan studentët
- LEXO: Jurisprudenca ende pa zgjidhje, nga shtatori i Salit tani kaloi te tetori i Shasivarit