Përplasja për provimin e jusprudencës në shqip, Ahmeti dhe Shasivari ia hedhin përgjegjësinë njëri-tjetrit

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i është drejtuar me letër të gjatë të hapur, ministrit të Shëndetësisë, Jeton Shasivari. Ai kërkon që provimi i jurisprudencës të organizohet edhe në gjuhën shqipe, duke kundërshtuar çdo zgjidhje që do ta kufizonte përdorimin e saj në këtë provim, transmeton Portalb.mk.

“Po ju drejtohem publikisht për një çështje që tejkalon çdo mosmarrëveshje politike apo institucionale! Një çështje që qëndron përtej normave interpretuese ligjore, të cilat ju, me apo pa dashje, keni tendencë t’i izoloni dhe kufizoni. Bëhet fjalë për të drejtat gjuhësore të shqiptarëve, për respektimin e rendit juridik të vendit dhe për zbatimin e një të drejte të fituar me shumë sakrificë, rezistencë politike dhe përpjekje institucionale”, thuhet në letrën e Ahmetit.

Ahmeti shton se ligji për Përdorimin e Gjuhëve, i miratuar në vitin 2018 dhe i hyrë në fuqi në vitin 2019, përfaqëson një akt dhe arritje të rëndësishme në përmbushjen e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve, në përputhje me Amendamentin V të Kushtetutës dhe Marrëveshjen Paqësore të Ohrit, prej së cilës buron dhe me të cilën lidhet kjo e drejtë.

“Marrëveshja e Ohrit është njëherazi pikëkthesa dhe gurthemeli i përfshirjes juridike dhe institucionale të shqiptarëve në vend. Miratimi i këtij ligji nuk ka qenë aspak një proces i lehtë. Ai u arrit përmes një përpjekjeje të gjatë politike, e cila u përball me rezistencën e vazhdueshme të qarqeve të caktuara politike maqedonase. Ky ligj nuk është një akt deklarativ dhe as një dokument, zbatimi i të cilit varet nga vullneti apo disponimi i përditshëm i bartësve të pushtetit. Ky është ligj në fuqi, i cili krijon detyrime të qarta për institucionet shtetërore. Prandaj, pas hyrjes së tij në fuqi, shteti kishte dhe vazhdon ta ketë detyrimin të sigurojë të gjitha parakushtet për zbatimin e tij të plotë: kapacitetet institucionale, resurset njerëzore dhe financiare, si dhe mekanizmat funksionalë mbikëqyrës”, thuhet në letër.

Për fat të keq, sipas Ahmetit, gjatë më shumë se dy vjetëve të kësaj qeverisjeje, po vërehet një tendencë shqetësuese e tkurrjes së të drejtave kolektive të shqiptarëve, veçanërisht e të drejtave gjuhësore.

“Dobësimi i pozitës juridike dhe institucionale të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, përmes heqjes së statusit të personit juridik, si dhe margjinalizimi i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, janë tregues dhe dëshmi të kësaj qasjeje cunguese brenda sistemit. Në këtë kontekst, çështja e provimit të jurisprudencës dhe e provimeve të tjera shtetërore profesionale në gjuhën shqipe është bërë një test serioz për respektimin e ligjit dhe barazinë e qytetarëve. Zoti ministër, këtu nuk ka asnjë paqartësi ligjore që mund të shërbejë si arsyetim për mohimin e kësaj të drejte”, thotë Ahmeti.

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, shton ai, e rregullon qartë këtë çështje në nenet 1, 2, 6, 23.

“Pra, kemi të bëjmë me një rregullim dhe përcaktim të qartë ligjor, i cili mbështetet edhe në parimin juridik lex specialis derogat legi generali. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është ligj i posaçëm për çështjet gjuhësore dhe dispozitat e tij kanë përparësi në zbatim ndaj dispozitave të tjera ligjore që rregullojnë të njëjtën materie. Prandaj, dua ta bëj të qartë edhe një herë: provimi i jurisprudencës duhet të jepet edhe në gjuhën shqipe. Çdo zgjidhje tjetër, e cila do ta kufizonte apo do ta kushtëzonte përdorimin e gjuhës shqipe në këtë provim, është në kundërshtim me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Nuk ka hapësirë për interpretime jo-juridike apo politike, improvizime institucionale apo zgjidhje të pjesshme aty ku ligji e ka përcaktuar qartë të drejtën dhe detyrimin për zbatimin e saj”, thuhet në letër.

Ai nënvizon se, ajo që po përgatitet të prezantohet para Komisionit të Venecias është veçanërisht shqetësuese.

“Kemi informacione se gjatë kësaj jave po zhvillohen takime koordinuese në Ministrinë e Drejtësisë, në të cilat përfshihen edhe Inspektorati dhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve, me qëllim që të menaxhohen pakënaqësitë institucionale dhe të krijohet një qëndrim i përbashkët në favor të propozim-zgjidhjes së Qeverisë. Sipas këtyre informacioneve, synohet që para përfaqësuesve të Komisionit të Venecias të prezantohet si një hap përpara një zgjidhje sipas së cilës provimi i jurisprudencës do të zhvillohej pjesërisht në gjuhën shqipe dhe pjesërisht në gjuhën maqedonase. Dua të jem shumë i qartë: një zgjidhje e tillë nuk është hap përpara. Ajo është prapakthim, degradim i një të drejte të fituar dhe, nëse paraqitet si avancim i të drejtave gjuhësore, përbën akt tradhtie ndaj shqiptarëve dhe ndaj vetë Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”, thekson Ahmeti.

Ai thotë se Komisioni i Venecias nuk duhet të shërbejë si mbulesë për shmangien e detyrimeve ligjore të institucioneve shtetërore. Përfaqësuesve të tij duhet t’u prezantohet gjendja e plotë juridike, dispozitat konkrete të ligjit dhe konstatimet e organit kompetent të inspektimit, e jo një zgjidhje politike e maskuar si përparim institucional.

“Zoti ministër Shasivari, ju bëj thirrje që të tregoni përgjegjësi politike, institucionale dhe kombëtare. Të hiqni dorë nga çdo përpjekje për të tkurrur të drejtat gjuhësore të shqiptarëve dhe të ndalni iniciativat që synojnë relativizimin dhe degradimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Ju bëj thirrje që të mos manipuloni me pritjet e opinionit publik dhe të mos prezantoni para Komisionit të Venecias zgjidhje që janë në kundërshtim me ligjin në fuqi, duke i paraqitur ato si avancim të të drejtave gjuhësore. Ju bëj thirrje që Ministria e Drejtësisë, në vend se të kërkojë mënyra për ta kufizuar një të drejtë ligjore, të marrë përgjegjësinë për zbatimin e saj të plotë, duke mundësuar organizimin e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, ashtu siç e kërkon ligji. Gjithashtu, kërkoj që Qeveria të sigurojë zbatimin e plotë dhe konsekuent të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në të gjitha organet dhe institucionet që ushtrojnë autorizime publike. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk është çështje e vullnetit të një ministri, të një qeverie apo të një shumice parlamentare. Ai është ligj në fuqi dhe duhet të zbatohet”, thuhet mes tjerash në letrën e Ahmetit.

Ahmeti pretendon gjithashtu se Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve ka konstatuar shkelje të ligjit nga Ministria e Drejtësisë lidhur me kërkesat e studentëve për dhënien e provimit të jurisprudencës dhe provimeve të tjera profesionale në gjuhën shqipe.

Në letrën drejtuar Shasivarit, ai kritikon edhe pretendimet e disa përfaqësuesve të VLEN-it se gjuha juridike e gjykatave është vetëm maqedonishtja. Ahmeti iu referua nenit 9 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, për të argumentuar se edhe në këtë fushë parashihet përdorimi i shqipes krahas maqedonishtes.

Në fund, kryetari i BDI-së i kërkon ministrit Shasivari të heqë dorë nga iniciativat që, sipas tij, synojnë kufizimin e të drejtave gjuhësore dhe të mundësojë zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Ai u është drejtuar edhe SHBA-së, Bashkimit Evropian, NATO-s, si dhe autoriteteve në Tiranë dhe Prishtinë, duke kërkuar vëmendjen e tyre për respektimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtave që burojnë prej saj.

Letrës i është përgjigjur, ministri Shasivari, ku thotë se thotë se kjo çështje ka mbetur e pazgjidhur për vite me radhë dhe se tetë ish-ministra shqiptarë të Drejtësisë nga radhët e BDI-së, që nga viti 2001, kanë pasur mundësinë dhe përgjegjësinë institucionale për ta zgjidhur, por nuk e kanë bërë këtë.

Në reagimin e tij, Shasivari thekson se çështja e provimit të jurisprudencës nuk duhet të shndërrohet në përplasje politike dhe akuza partiake, por duhet të trajtohet përmes një zgjidhjeje juridike që garanton mundësi të barabarta për të gjithë kandidatët, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe standardet profesionale.

“Si profesor universitar i drejtësisë, me mbi 25 vjet përvojë, i njoh nga afër barrierat gjuhësore me të cilat janë përballur breza të tërë studentësh shqiptarë. Sot, si ministër i Drejtësisë, kam mundësinë dhe përgjegjësinë për ta ndryshuar këtë realitet”, shkruan Shasivari.

Ai thotë se Ministria nuk ka zgjedhur improvizimet dhe vendimet për konsum politik, por një zgjidhje të qëndrueshme juridike dhe afatgjatë. Sipas tij, propozimi është që të krijohet një model i vetëm, në të cilin gjithëpërfshirja gjuhësore dhe standardet profesionale do të plotësojnë njëra-tjetrën.

Shasivari ka mbrojtur edhe kërkesën për marrjen e një opinioni nga Komisioni i Venecias, duke e cilësuar atë si organin më relevant këshillimor të Këshillit të Evropës për çështjet kushtetuese dhe juridike. Ai thotë se nuk ka arsye që institucionet t’i frikësohen një opinioni të tillë, pasi ai do të ndihmojë në sigurimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

“Komisioni i Venecias nuk është mbulesë për institucionet. Ai është një mundësi që zgjidhja juridike të shqyrtohet në mënyrë të pavarur, profesionale dhe në përputhje me standardet evropiane”, thekson ministri.

Sa i përket procesit, Shasivari thotë se janë organizuar takime me dekanët e fakulteteve juridike dhe përfaqësuesit e studentëve, ndërsa përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do të kenë mundësi të zhvillojnë biseda të drejtpërdrejta me institucionet, komunitetin akademik dhe studentët.

Ai gjithashtu i është drejtuar drejtpërdrejt Ahmetit, duke i kërkuar që të mos e cilësojë paraprakisht iniciativën si degradim apo tradhti, por të lejojë që argumentet juridike të shqyrtohen nga institucionet kompetente dhe ekspertët evropianë.

Në fund, Shasivari thekson se më 27 nëntor Ahmeti do të ketë mundësi që në Kuvend t’ua përcjellë vërejtjet e tij raportuesve të Komisionit të Venecias.

“Historia e vendimeve institucionale është e njohur dhe secili mund ta verifikojë atë. Të drejtat nuk mbrohen me deklarata të bujshme politike, por me institucione funksionale, zgjidhje të qëndrueshme juridike dhe zbatim konsekuent të ligjeve”, përfundon reagimi i ministrit.

Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare.

Ali AhmetiGjuha shqipeJeton ShasivariJurisprudenca