Prokuroria Themelore Publike e Shkupit me detaje për vrasjen pranë Smillkovcit

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit njoftoi pasditen e sotme se ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore dhe ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për 38-vjeçarin nga Shkupi, i dyshuar për vrasjen e Edin Shkrijelit, e cila ndodhi para gati një jave pranë Liqenit të Smillkovcit, transmeton Portalb.mk.

Sipas Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i dyshuari akuzohet për veprën penale të vrasjes, në përputhje me nenin 123, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Siç bëjnë të ditur nga Prokuroria, 38-vjeçari i dyshuar, mëngjesin e 21 nëntorit, në unazën e Shkupit, pranë kryqëzimit afër Liqenit të Smillkovcit, me dashje i ka marrë jetën viktimës, Edin Shkrijel.

Sipas përshkrimit të shkurtër të rastit nga Prokuroria, vrasjes i ka paraprirë një debat përmes një aplikacioni telefonik, pas të cilit i dyshuari ka shkuar me automjet në vendin e ngjarjes.

“Është parkuar përballë automjetit që drejtohej nga Shkrijeli, kanë dalë nga automjetet dhe kanë vazhduar të debatojnë. Në një moment, i dyshuari ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim të viktimës. Plumbi e ka goditur në këmbën e majtë, në arterien femorale, dhe për shkak të humbjes së madhe të gjakut, viktima ka ndërruar jetë në vendngjarje”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.

Pas të shtënave, i dyshuari është larguar me automjet në drejtim të fshatit Singjeliq, ndërsa gjatë rrugës është përkujdesur që të heqë qafe edhe armën.

“Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit”, shtojnë nga Prokuroria.

Për vrasjen, e cila ndodhi më 21 nëntor, më herët gjatë ditës së sotme njoftoi edhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), nga ku bënë të ditur se 38-vjeçari nga Shkupi ishte privuar nga liria dje, pas së cilës ndaj tij është ngritur kallëzim penal me procedurë të shpejtë për veprën penale të vrasjes.

Nga Ministria theksuan se me B. J. ishte zhvilluar një bisedë zyrtare, gjatë së cilës personi kishte sqaruar mënyrën e kryerjes së veprës penale.

Ndryshe, të shtunën, rreth orës 06:00 të mëngjesit, në SPB Shkup ishte raportuar se në unazën e Shkupit, pranë Smillkovcit, ishte gjetur një person pa shenja jete. Në afërsi të trupit ishte gjetur edhe një automjet i tipit “Mercedes”, me targa të Shkupit, të cilin më parë e kishte drejtuar viktima, Shkrijeli.

Prokuroria Themelore Publike (PTHP) RMVVrasje - Ekzekutim