Këshilli e tërhoqi planin urbanistik për Kodrën e Diellit nga rendi i ditës, Ministria e Transportit nuk ka dhënë ende pëlqim

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve nuk ka dhënë ende pëlqim për planin detal urbanistik për Kodrën e Diellit, prandaj edhe Këshilli Komunal i Tetovës e ka tërhequr këtë pikë nga rendi i ditës, raporton Portalb.mk.

I pyetur se pse është zvarritur ky proces, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se kanë pasur mosmarrëveshje me institucionet.

“Kemi pasur problem serioz me institucionet, konkretisht me Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, pas shumë peripecive arritëm të marrim pëlqim pozitiv nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, plani është kompletuar është dërguar në ministri, jemi në koordinim me ministrinë, presim që deri të premten të marrim edhe pëlqimin e ministrisë”, tha Kasami, i cili shtoi se në bazë të planit janë të parapara edhe parkingje të reja.

Pyetëm edhe në Ministrinë e Transportit nëse do të japin pëlqim, por nuk morëm përgjigje.

Premtimet për miratimin e PDU-së për Kodrën e Diellit vazhdimisht janë shkelur, sidomos në pesë vitet e fundit edhe atë në vitin 2022, 2023, 2024, 2025 dhe 2026.

Përpilimi i Planit Urbanistik për lokalitetin turistik Kodrën e Diellit ka filluar në vitin 2017.

Kujtojmë se në vitin 2023, plani ishte dorëzuar në Ministri të Transportit, por i njëjti u kthye për korrigjime dhe përmirësime.

Në ndërkohë pa plan urbanistik, vështirësohen edhe investimet e huaja, ku viteve të fundit përfaqësues nga institucionet qendrore por edhe ato lokale vazhdimisht kanë premtuar investime të huaja, të cilat nuk u zbatuan asnjëherë në terren.

Bilall KasamiKodra e DiellitKomuna e TetovësMinistria e Transportit (MT)Plan i Detajuar UrbanistikVideo Lajme