Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, paralajmëroi një fazë të re në trajtimin e të lënduarve nga zjarri në diskotekën “Puls”. Në një deklaratë për mediat sot, ai tha se tashmë ka zhvilluar një takim me mjekë në Beograd, ndërsa javën e ardhshme do të zhvillojë konsultime edhe me mjekë në Sofje, për të përcaktuar detajet e trajtimit të mëtejshëm të këtyre pacientëve, transmeton Portalb.mk.
“Të hënën isha në Beograd dhe pata një takim me ministrin Lonçar për t’i përcaktuar detajet. Të hënën e ardhshme do të jem në Bullgari, në një takim në Sofje me ministren e tyre. Pres që në këtë mënyrë t’i finalizojmë qëndrimet për fazën e ardhshme të trajtimit të të lënduarve nga Koçani”, deklaroi Klekovski.
Ministri paralajmëroi se javën e ardhshme planifikon të shkojë edhe në Koçan, ku do të takohet me të lënduarit nga zjarri dhe do t’ua prezantojë planin për trajtimin e mëtejshëm mjekësor.
Në zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan.