Plani i Detajuar Urbanistik për Kodrën e Diellit vazhdon të zvarritet duke mos u miratuar, në pesë vitet e fundit, çdo vit ka pasur zotime, megjithatë pa rezultat. Sipas autoriteteve komunale, ky plan pritet të miratohet deri në fund të vitit, shkruan Portalb.mk.
Premtimet për miratimin e PDU-së për Kodrën e Diellit vazhdimisht janë shkelur, sidomos në pesë vitet e fundit edhe atë në vitin 2022, 2023, 2024, 2025 dhe 2026.
Përpilimi i Planit Urbanistik për lokalitetin turistik Kodrën e Diellit ka filluar në vitin 2017. Megjithatë, pa rezultat deri më tani.
Se ku ka ngecur ky proces, biseduam me udhëheqësin e Sektorit të Urbanizmit në Komunën e Tetovës, Rilind Selmanin, ai thotë se procedura është në fazën e sigurimit të pëlqimeve të nevojshme nga institucionet kompetente.
“Ashtu siç ka potencuar edhe ministri i Transportit në deklaratat publike, aktualisht priten pëlqimet nga institucionet përkatëse, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes dhe Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Pas kompletimit të këtyre pëlqimeve, plani do të procedohet përsëri në Ministrinë e Transportit për marrjen e pëlqimit përfundimtar”, thotë Selmani.
Ai thotë se presin që procedurat institucionale të përfundojnë në afatet e parapara dhe beson se deri në fund të këtij viti do të arrijnë ta miratojnë Planin Detal Urbanistik për Kodrën e Diellit, dokument me rëndësi të veçantë për zhvillimin e planifikuar dhe të qëndrueshëm të kësaj zone turistike.
Kujtojmë se në vitin 2023, plani ishte dorëzuar në Ministri të Transportit, por i njëjti u kthye për korrigjime dhe përmirësime.
Në ndërkohë pa plan urbanistik, vështirësohen edhe investimet e huaja, ku viteve të fundit përfaqësues nga institucionet qendrore por edhe ato lokale vazhdimisht kanë premtuar investime të huaja, të cilat nuk u zbatuan asnjëherë në terren.
- LEXO: Zvarritja 9-vjeçare e planit urbanistik për Kodrën e Diellit pamundëson investimet e huaja
- LEXO: Plani Detal për Kodrën e Diellit peng i investimit të huaj nga Dubai që nuk po konkretizohet
- LEXO: Ministri i Ekonomisë dikur protestonte kundër shkatërrimit të Kodrës së Diellit, nga pushteti nuk jep detaje për investimet e paralajmëruara