Zvarritja e miratimit të planit urbanistik për Kodrën e Diellit prej nëntë viteve i pengon investimet e huaja në këtë pikë turistike, pavarësisht se autoritetet me vite premtojnë investime të huaja dhe bisedime të cilat asnjëherë nuk u konkretizuan në terren, shkruan Portalb.mk.
Premtimet për miratimin e PDU-së për Kodrën e Diellit vazhdimisht janë shkelur, sidomos në katër vitet e fundit edhe atë në vitin 2022, 2023, 2024 dhe 2025.
Shefi i Sektorit të Urbanizmit në Komunën e Tetovës, Rilind Selmani për Portalb.mk sqaroi se përpilimi i Planit Urbanistik për lokalitetin turistik Kodrën e Diellit ka filluar në vitin 2017.
“Duke qenë se bëhet fjalë për një plan urbanistik specifik dhe kompleks, është kërkuar kohë e konsiderueshme për sigurimin e të gjitha informacioneve dhe dokumentacionit të nevojshëm. Gjatë viteve 2018 dhe 2019 është përgatitur një version i planit urbanistik për Kodrën e Diellit, mirëpo procedura është përballur me disa vërejtje dhe mendime nga institucionet shtetërore, të cilat kanë kërkuar plotësime dhe përmirësime të mëtejshme”, tha Selmani.
Ai theksoi se gjatë viteve 2021 dhe 2022 është punuar intensivisht në përmirësimin dhe plotësimin e planit, ndërsa në vitin 2023 plani është dorëzuar për miratim në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve.
“Pas shqyrtimit të dokumentacionit, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka paraqitur disa vërejtje dhe e ka kthyer planin për korrigjim dhe përmirësim. Të gjitha vërejtjet e paraqitura janë trajtuar dhe eliminuar, ndërsa Plani Urbanistik për Kodrën e Diellit është ridërguar dy herë në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve për marrjen e pëlqimit përfundimtar”, tha Selmani.
Ai shpreson që brenda këtij viti të merret pëlqimi përfundimtar, në mënyrë që të mundësohet vazhdimi i procedurave për miratimin e planit dhe zhvillimi i mëtejmë i kësaj zone turistike.
Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve nuk u përgjigjën në pyetjen gazetareske se kur do të japin pëlqim për këtë plan urbanistik.
Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi kur u pyet nga Portalb.mk për investimet e huaja që paralajmërohen theksoi se pa plan urbanistik është e vështirë të ketë investime të huaja.
“Bisedimet ecin në kuadër të komunës bashkë me anëtarët e qeverisë, do të shihet opsioni më i mirë i mundshëm që është i pranueshëm. Informacionet që i kam nga Komuna e Tetovës janë që plani urbanistik për Kodrën e Diellit është në fazën e fundit dhe pasi të kalojë plani urbanistik do të shihen investitorët realë, pasi pa plan urbanistik asnjë investitor nuk mund të merr hap dhe të bëjë investim real”, tha Durmishi.
Së fundmi, përfaqësues nga institucionet qendrore por edhe ato lokale vazhdimisht ndër vite kanë premtuar investime të huaja, të cilat nuk u zbatuan asnjëherë në terren.
Së fundmi kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami kanë paralajmëruar se janë afër marrëveshjes me investitorë të huaj, madje Kasami tha se bëhet fjalë për kompaninë EMAAR nga Emiratet e Bashkuara Arabe, por kjo e fundit nuk është përgjigjur në pyetjet gazetareske të Portalb.mk.
Nga ana tjetër, me vite nuk ka asgjë konkrete as nga investimi italian i prezantuar në 2022 nga TechnoAlpin. Sipas planit, investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove. Por negociatat nuk kanë marrë epilog dhe nuk ka marrëveshje.
Pavarësisht se autoritetet si nga qeveria e kaluar po ashtu edhe kjo aktuale, me vite paralajmërojnë investime të huaja milionëshe, ende nuk ka asnjë marrëveshje dhe asgjë konkrete në terren.
Kodra e Diellit edhe pse është ndër vendet më të mira dimërore në Ballkan dhe jo vetëm, për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të.
Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.