Gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan ka vazhduar me pyetjet e Prokurorisë Publike ndaj ekspertit të ndërtimtarisë të propozuar nga i akuzuari i parë, Dejan Jovanov. Për delarimet e tij pati kundërshtime nga prindërit e viktimave, transmeton Portalb.mk.
Në seancat paraprake ai ka deklaruar se objekti “Puls” kishte tre hyrje dhe tre dalje, se konstruksioni i çatisë nuk ishte dëmtuar nga zjarri i madh dhe se statika e objektit nuk ishte dëmtuar.
Pas seancës pati reagime nga prindërit e viktimave, të cilët thonë se eksperti i angazhuar nga mbrojtja është deklaruar nga aspekti i ndërtimtarisë, por, sipas tyre, nga përgjigjet e tij rezulton se nuk mund të japë mendim për të gjitha çështjet e përfshira në ekspertizën e Prokurorisë.
Këtë lëndë e udhëheq gjykatësja Dijana Gruevska-Ilievska, ndërsa aktakuzën e përfaqësojnë 15 prokurorë publikë.
Në zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan.