Ambasada e Greqisë reagoi për transparentin me hartën e “Maqedonisë së Bashkuar” në ndeshjen Shkup – Selanik

Ndeshja mes klubeve të basketbollit MZT Shkup dhe Iraklis nga Selaniku, e cila të martën u zhvillua në “Jane Sandanski” në kuadër të Kupës Evropiane të Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA), përfundoi jo vetëm me humbjen e vendasve, por edhe me reagime në nivel diplomatik, transmeton 360 Gradë.

Shkak për reagimin e Ambasadës së Greqisë te Ministria e Punëve të Jashtme ishte transparenti që tifozët maqedonas shpalosën gjatë ndeshjes. Në të ishte shkruar mesazhi “Emrin tënd të shenjtë do ta mbrojmë para botës”, i shoqëruar me një flamur me diellin me 16 rreze dhe një hartë të të ashtuquajturës “Maqedoni e Bashkuar”, në të cilën si pjesë e një territori të vetëm paraqiten edhe pjesë të Greqisë së sotme.

Nga Ambasada e Greqisë e konfirmuan për “360 Gradë” se kanë reaguar te MPJ lidhur me transparentin dhe hartën në të cilën pjesë të Greqisë, përfshirë gadishullin e Halkidikisë, por edhe pjesë të Serbisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë, paraqiten si territor i vendit.

“Ambasada e ngriti çështjen e shfaqjes së transparentit, përfshirë edhe faktin se, sipas informacioneve që morëm, ai ishte shpalosur në prani të ministrit të Sportit të Maqedonisë së Veriut. Theksuam se përmbajtja dhe simbolika e transparentit nuk janë në përputhje me detyrimet dhe frymën e Marrëveshjes së Prespës. Për këtë arsye, çështja iu paraqit autoriteteve të Maqedonisë së Veriut përmes kanalit përkatës diplomatik”, deklaruan nga Ambasada e Greqisë.

Mediat greke raportuan se drejtuesit e klubit Iraklis kishin reaguar edhe para fillimit të ndeshjes, por se transparenti me përmbajtjen kontestuese mbeti i shpalosur në tribuna gjatë gjithë ndeshjes.

Ndërkohë, klubi e ka njoftuar Ambasadën e Greqisë në Shkup për incidentin dhe ka dorëzuar edhe ankesë zyrtare në Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA).

Iraklis njoftoi se do të paraqesë edhe një ankesë tjetër te FIBA, së bashku me të gjitha informacionet për incidentin, dhe do të kërkojë që të ndërmerren masat përkatëse.

Ambasada e Greqisë në RMVGreqiaTensione etnike