Pas zhvillimit të procedurës parahetimore lidhur me pretendimet nga kallëzimi penal, me dyshime për qasje të paautorizuar në sistemin kompjuterik të Kabinetit të Presidentes së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe mbledhje të paautorizuar të të dhënave, prokurori publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka miratuar Aktvendim, me të cilin ka vlerësuar se nuk ka bazë për veprime të mëtejshme nga Prokuroria, transmeton Portalb.mk.
Gjatë procedurës, me urdhër të Gjykatës Themelore Penale është siguruar pajisje kompjuterike, mbi të cilën janë kryer analiza informatikoforenzike. Janë analizuar edhe të dhëna nga pajisjet mobile, si dhe janë mbledhur njoftime nga persona të njohur me ngjarjen.
Sipas raporteve të Sektorit për Krim Kompjuterik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk janë konstatuar gjurmë digjitale ose tregues të tjerë forenzikë për hyrje të paautorizuar në sistemin kompjuterik, dhe as nuk janë gjetur prova për incizim dhe mbledhje të të dhënave të klasifikuara.
“Gjatë analizave janë konstatuar disa dobësi të sigurisë dhe administrative në konfigurimin e sistemit, të cilat mund të përbënin rrezik potencial për sigurinë, por nuk janë konstatuar prova digjitale për kryerjen e veprave penale të raportuara”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Pas vlerësimit të të gjitha provave të mbledhura, prokurori publik kompetent ka konstatuar se nuk janë plotësuar elementet ligjore të veprave penale “Zbulimi i sekretit shtetëror” nga neni 317 dhe “Dëmtimi dhe hyrja e paautorizuar në sistem kompjuterik” nga neni 251 i Kodit Penal, e as të ndonjë vepre tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare.
Kujtojmë se rastin në fillim e raportoi Slloboden Peçat. Sipas informacioneve të mediumit, në Prokurori dhe në redaksinë e gazetës ishte dorëzuar një kallëzim penal anonim, i nënshkruar nga “një grup të punësuarish në MPB”, në të cilin pretendohet se të dhëna konfidenciale janë kopjuar dhe enkriptuar, me dyshimin se mund të kenë përfunduar tek shërbime të huaja të inteligjencës.
Në kallëzim, siç shkruante “Slloboden Peçat”, nën dyshim është një administrator IT në Kabinetin e presidentes, ndërsa përmendeshin edhe funksionarë të tjerë nga Kabineti dhe nga Agjencia e Inteligjencës, për të cilët ekzistojnë dyshime se mund të kenë marrë pjesë në fshehjen e provave.
Nënshkruesit e kallëzimit kishin kërkuar ekspertizë forenzike të pajisjeve elektronike, kontroll të video-mbikëqyrjes, regjistrave VPN, komunikimeve elektronike dhe informacioneve të klasifikuara apo komunikimeve të NATO-s që mund të jenë komprometuar.