Gjykimi për zjarrin në Koçan, prindërit e viktimave u nxorën nga salla pas përballjes me të akuzuarin Jovanov

Avokatja e të akuzuarit të parë, Dejan Jovanov, pronarit të diskotekës ilegale “Pulse”, ku në zjarrin e 16 marsit të vitit të kaluar humbën jetën 63 të rinj, mes tyre edhe fëmijë, ishte e para që filloi me pyetjet e drejtpërdrejta ndaj ekspertit të angazhuar nga Jovanov, Petre Ruseski, në seancën e sotme gjyqësore në Idrizovë, transmeton Portalb.mk.

Ai tha se është ekspert në fushën e ndërtimtarisë. Ekspertizën e ka përgatitur me kërkesë të të akuzuarve Dejan Jovanov, Lupço Stamenkov dhe Nikollço Gocev.

I pyetur nga avokatja Ivana Kocevska, ai tha se pronar i objektit është Grozdan Millkovski, ndërsa nga 1 dhjetori 2012 kishte lidhur kontratë qiraje vetëm për pjesën përdhese me personin juridik “Klasik”. Qiramarrësi Dejan Jovanov nuk ka kryer punime ndërtimore në hapësirën e marrë me qira, por punime ndërtimore-artizanale për rregullimin e brendshëm të hapësirës për nevojat e veprimtarisë së tij. Këto ndërhyrje, sipas tij, nuk mund të quhen rikonstruksion, por punime artizanale të një vëllimi të lehtë.

“Nuk janë punime betoni, nuk janë prej çeliku”, tha eksperti.

Prindërit thërrisnin: “Dhomë gazi artizanale! Ai që është ulur pranë teje na i vrau fëmijët”.

Kocevska kërkoi që të mos ketë ndërhyrje nga publiku.

“Ne nuk jemi publik, ne jemi të dëmtuar! Ne i kemi humbur fëmijët tanë. Kërkoni falje!”, bërtisnin prindërit të revoltuar.

I akuzuari i parë reagoi se prindërit kishin thënë nga vendi se ai ua kishte vrarë fëmijët.

Jovanov u kthye dhe i shikoi, pas së cilës ata u përballën me të përmes xhamit, u ngritën në këmbë dhe u shqetësuan.

“Dilni pak jashtë. Pa ju mund të vazhdojë gjykimi, por pa këta këtu nuk mundet”, tha gjyqtarja Dijana Gruevska-Ilievska, pas së cilës policia gjyqësore i shoqëroi drejt derës.

“Pa ne mundeni, gjyqtare, por ne pa fëmijët tanë nuk mundemi”, tha duke qarë babai i njërit prej djemve që humbën jetën në zjarr, para se të largohej nga salla e gjyqit.

Pas kësaj, avokatja Kocevska e pyeti ekspertin në lidhje me pretendimin se qiramarrësi Jovanov, me qëllim të rregullimit të brendshëm të objektit, kishte angazhuar kompaninë e licencuar “Venci Projekt” nga Koçani, e cila kishte përgatitur projektin dhe në bazë të tij objekti ishte rinovuar.

Jovanov u ankua se nuk ndihej mirë dhe, i shoqëruar nga policia, doli jashtë për të marrë ajër.

Marrja në pyetje e ekspertit vazhdon.

Në zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan.

KoçaniZjarri në diskotekën në Koçan