Defekt aparatet e tomografisë në Institutin e Radiologjisë në Shkup, pacientët po referohen në dy spitale

Aparatet e tomografisë së kompjuterizuar (TK) në Institutin Universitar të Radiologjisë janë në defekt dhe aktualisht po servisohen, njoftoi Ministria e Shëndetësisë. Deri në rikthimin e tyre në funksion, pacientët po referohen në dy institucione të tjera shëndetësore në Shkup, transmeton Portralb.mk.

Sipas Ministrisë, që nga fillimi i kësaj jave është riorganizuar referimi i pacientëve, me qëllim që ekzaminimet të kryhen pa ndërprerje. Skanimet me TK kryhen në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori” dhe në Klinikën Kirurgjike “Shën Naum Ohridski”.

Në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori”, pacientët pranohen për ekzaminime nga ora 08:00 deri në 14:00 dhe nga ora 20:00 deri në 02:00. Ndërsa në Klinikën “Shën Naum Ohridski”, shërbimi ofrohet nga ora 14:00 deri në 20:00 dhe nga ora 02:00 deri në 08:00.

Ministria thotë se ky organizim është i përkohshëm dhe do të zgjasë deri në vënien sërish në funksion të aparateve në Institutin Universitar të Radiologjisë. Paralelisht, sipas saj, po bëhen përpjekje për sigurimin e termineve edhe në institucione të tjera publike shëndetësore.

Për çdo ndryshim të gjendjes dhe rikthimin e regjimit të rregullt të punës, Ministria thotë se institucionet shëndetësore dhe publiku do të informohen në kohë.

Ministria e Shëndetësisë (MSH)