Pronari i diskotekës “Pulse” në Koçan, Dejan Jovanov, megjithatë nuk do të lirohet. Ai mbetet në paraburgim, por në kuadër të hetimit të ri për dhënie ryshfeti, të cilin e ka nisur Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, transmeton Portalb.mk.
Jovanov është një nga të akuzuarit kryesorë në procesin gjyqësor për lëshimet dhe shkaqet që çuan në zjarrin në diskotekë. Gjithsej janë 35 persona dhe tri kompani të akuzuara, mes tyre ish-ministra të Ekonomisë, ish-kryetarë të Komunës së Koçanit, inspektorë dhe zyrtarë të tjerë. Të gjithë ndiqen penalisht për “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.
Ky proces gjyqësor filloi në nëntor të vitit 2025 dhe është në zhvillim, por më 3 tetor (nesër) skadon afati ligjor maksimal i kohëzgjatjes së paraburgimit. Në prag të skadimit të këtij afati, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit njoftoi se ka hapur hetim të ri ndaj Jovanovit, ku e dyshon për dhënie ryshfeti dhe në kuadër të tij kërkon caktimin e masës së paraburgimit.
Propozimin e Prokurorisë e ka pranuar Gjykata Themelore Penale në Shkup. Nga gjykata thanë se paraburgimi i është caktuar nga 3 tetori, përkatësisht në ditën kur skadon paraburgimi në lëndën tjetër.
Arsyet për të cilat gjykata e ka pranuar masën e propozuar të paraburgimit, siç shpjegojnë, janë “rreziku që i dyshuari të arratiset, si dhe frika e bazuar se mund ta pengojë hetimin duke ndikuar te dëshmitarët”.
Jovanov deri tani ka qenë në paraburgim në burgun e Kumanovës, ndërsa nesër do të transferohet në burgun “Shkup” në Shutkë.
“Duke pasur parasysh se i dyshuari masën e paraburgimit, të caktuar në lëndën ‘Pulse’, e ka vuajtur në INP “Burgu Kumanovë”, duke qenë se fillimisht i ishte caktuar nga Gjykata Themelore e Koçanit, tani ai do të transferohet për ta vuajtur masën e re të paraburgimit në Burgun ‘Shkup’, në përputhje me Rregulloren për shoqërimin dhe vuajtjen e masave të caktuara për sigurimin e pranisë”, thonë nga Gjykata Themelore Penale.
Paraprakisht, ekipi i prokurorëve që po vepron në lëndën për zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan sot ka dorëzuar mendim negativ dhe ka kërkuar që të refuzohet si i pabazuar propozimi për caktimin e garancisë, i parashtruar nga i akuzuari Dejan Jovanov nga Koçani
Me propozimin është kërkuar nga gjykata që ndaj të akuzuarit të caktohet masë garancie në vlerë të përgjithshme prej 195.820 euro, përkatësisht 12.042.932 denarë, e cila do të përbëhej nga vendosja e hipotekës mbi pasuri të paluajtshme.
Megjithatë, sipas Prokurorisë, gjatë marrjes së vendimit, gjykata duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë faktit se deklaratën me të cilën jep pëlqimin që pasuria e ofruar të përdoret si garanci, i akuzuari Dejan Jovanov e ka dhënë megjithëse ishte në dijeni se një pjesë e pasurisë së paluajtshme të ofruar është objekt i procedurës së përmbarimit dhe, për rrjedhojë, as nuk mund të vendoset hipotekë mbi të dhe aq më pak të shitet për të siguruar mjete monetare.
“Përveç kësaj, pasuritë e paluajtshme të ofruara në pjesën më të madhe përbëhen nga hapësira ndihmëse, objekte, kasolle dhe hambarë, të cilat më parë kanë qenë objekte të ndërtuara pa leje. Kjo pasuri, në rast të nevojës eventuale, do të mund të shitej me vështirësi të jashtëzakonshme dhe, në çdo rast, jo në vlerën në të cilën është vlerësuar”, thonë nga Prokuroria.
Në zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan.
- LEXO: Gjykimi për zjarrin në Koçan, prindërit e viktimave u nxorën nga salla pas përballjes me të akuzuarin Jovanov
- LEXO: Pronari i “Pulsit” ofroi 200 mijë euro në pasuri të paluajtshme si garanci se nuk do të arratiset pas lirimit nga paraburgimi
- LEXO: Ekspertiza: Rikonstruimi i “Pulse” ishte i paligjshëm, objekti nuk mund të ishte kabare