Në Gjykatën e Apelit në Shkup duhet të punojnë 51 gjykatës, ndërsa aktualisht janë vetëm 35m apo 16 më pak. Përveç tyre mungojnë edhe staf nga administrata gjyqësore dhe gjykatës porotë. Përkundër kësaj, ushtruesi i detyrës së kryetarit të gjykatës, Zoran Gerasimovski thotë se kjo nuk ndikon në efikasitetin e gjykatës, raporton Portalb.mk.
“Për momentin, funksionin e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit në Shkup e ushtrojnë vetëm 35 gjyqtarë. Problemi me mungesën e kuadrit gjyqësor është i pranishëm prej një periudhe më të gjatë”, tha kryetari i gjykatës.
Gerasimovski shtoi se nga 245 vendet e parashikuara të punës në shërbimin gjyqësor, janë plotësuar 101, ndërsa edhe pse për vitin 2026 janë miratuar 10 punësime të reja, realizimi i tyre ende është në proces.
Problem shtesë, sipas tij, është edhe mungesa e gjyqtarëve porotë. Nga 32 vendet e parashikuara, aktualisht janë plotësuar vetëm shtatë.
“Pagesa është përcaktuar që në vitin 2018 dhe nuk është ndryshuar, që do të thotë se shuma prej 570 denarësh në ditë është shumë e ulët dhe aktualisht kemi vetëm shtatë gjyqtarë porotë”, deklaroi Gerasimovski.
Ai vlerësoi se pavarësisht sfidave me kuadrin, gjykata do të vazhdojë të punojë në mënyrë efikase.