Kopshtet e fëmijëve dhe shkollat kërkojnë kopje të kartonit të vaksinimit ose vërtetim nga organizatë shëndetësore me të cilin dëshmohet se fëmijët janë të vaksinuar kundër fruthit, sëmundje virale me infektivitet jashtëzakonisht të lartë që mund të shkaktojë simptoma të rënda te fëmijët nën moshën pesë vjeçare dhe tek personat e pavaksinuar. Edhe pse në Maqedoni deri më tani zyrtarisht janë konfirmuar pesë raste dhe autoritetet shëndetësore thonë se ende nuk ka kushte ligjore për të shpallur epidemi në nivel kombëtar, alarmin e kuq tek epidemiologët e ka ndezur mbulimi kritik i ulët me vaksinën MRP (fruth, rubeolë dhe shyta) prej vetëm 62 përqind – nga 95 përqind që duhet të jetë për imunitet kolektiv, transmeton Portalb.mk nga Kolegium.mk.
Kujdesi për këtë sëmundje është shtuar për shkak të epidemive të fruthit në disa vende të rajonit.
Ndërkohë spitalet private tashmë kanë vendosur protokoll sipas të cilit të gjithë pacientët që hyjnë duhet të mbajnë maskë mbrojtëse dhe të plotësojnë pyetësor që përmban pyetjen nëse kanë ose kanë pasur kohëve të fundit temperaturë, nëse kanë udhëtuar jashtë vendit, nëse kanë qenë në kontakt me dikë që ka pasur temperaturë ose ka udhëtuar jashtë vendit..
Rasti më i fundit i fruthit u konfirmua te një fëmijë i moshës një vjet e gjysmë. Mes të infektuarve janë tre fëmijë të vegjël dhe një 45 vjeçar, të gjithë shtetas të Maqedonisë, si dhe një person nga Kosova.
Ose vaksinë, ose kopje të kartonit të vaksinimit
Prindërve të fëmijëve në kopshte u është dërguar mesazh që ose të sjellin vërtetim se fëmijët janë të vaksinuar, ose t’i vaksinojnë ato.
“Për shkak të gjendjes të sapokrijuar me fruthin ju lutemi që nëse ndonjë nga fëmijët nuk është i vaksinuar të vaksinohet sa më parë, nëse është i vaksinuar të sillet kopje e kartonit të vaksinimit dhe nëse nuk është i vaksinuar për ndonjë arsye të caktuar të sillet vërtetim nga qendra e imunologjisë”, është mesazhi të cilin e ka marrë prindi i një fëmije në kopshtin “Srniçka” në Shkup.
Mesazhe të këtilla po dërgohen edhe në shkolla.
“Me rekomandim të Institutit të Shëndetit Publik për shkak të situatës aktuale me të sëmurë nga fruthi, ju lutemi që për fëmijën tuaj kujdestarit të klasës t’i dorëzoni kartonin/vërtetim të ri për vaksinim të lëshuar nga institucioni shëndetësor kompetent (pika e vaksinimit ose mjeku amë)”, është mesazhi që e ka marrë nëna e një nxënësi të klasës së gjashtë në shkollë në komunën Qendër.
Komunat e Shkupit Qendër, Karposh dhe Aerodrom kanë mbulim shumë të ulët të vaksinimit kundër fruthit, i cili sillet nga 60 deri në 70 përqind.
Dezinformatat e minojnë besimin te vaksinat
Por, prindërit sërish ndahen mes atyre që janë “pro” dhe atyre që e kundërshtojnë vaksinimin.
“Si vendos dikush të mos e vaksinojë fëmijën dhe thotë se as nuk planifikon, ndërsa dëshiron ta dërgojë në shkollë ose në kopsht me argumentin se është e drejta e tyre kushtetuese dhe askush nuk mund ta kthejë fëmijën mbrapsht. Ndërsa, e drejtë kushtetuese është shëndeti i të gjithë të tjerëve”, tha Aleksandra M., nënë e binjakëve katërvjeçarë nga një kopsht në Karposh.
Ata që e kundërshtojnë vaksinimin thonë se sjellja e kopjeve të kartonave të vaksinimit është e paligjshme, sepse ato janë të dhëna personale për gjendjen shëndetësore, për të cilat nuk dihet se kush do t’i shikojë, do t’i përpunojë dhe për çfarë qëllimi, dhe se kjo gjë është në kundërshtim me nenin 13 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Sipas Marija Andonovska, drejtoreshë e IShP-së, ajo që është tejet shqetësuese është ndikimi i rrjeteve sociale te besimi i qytetarëve tek vaksinimi, me ç’rast dezinformatat dhe pretendimet e paargumentuara kontribuojnë në rezistencën ndaj vaksinimit.
“Nën postimet tona ka shumë komente negative nga njerëz që nuk janë punonjës mjekësorë. Pretendohet se jemi të paguar, rënditen arsye të ndryshme të paargumentuara se pse fëmijët nuk duhet të vaksinohen. Secili ka të drejtë në mendimin e tij, por qytetarët duhet të udhëhiqen vetëm dhe vetëm nga informacione të verifikuara të bazuara në dëshmi mjekësore”, tha Andonovska.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, deklaroi se nuk do të ketë vaksinim të detyrueshëm kundër fruthit, pasi sipas tij masat e tilla janë kundërproduktive.
Instituti i Shëndet Publik u bëri thirrje të gjithë prindërve dhe qytetarëve që nuk e kanë marrë vaksinën MRP sipas Kalendarit Kombëtar të Imunizimit që ta marrin sa më parë dozën e humbur.
“Duke pasur parasysh mbulimin ende të pamjaftueshëm me vaksinën MRP në vendin tonë, si dhe situatën aktuale epidemiologjike dhe rastet e regjistruara të fruthit në disa nga vendet fqinje për të cilat tashmë kemi informuar, IShP e thekson nevojën për vigjilencë të shtuar dhe ndërmarrje të kohëpaskohshme të masave preventive. Vaksinimi është masa më efikase për mbrojtje nga fruthi dhe për parandalimin e përhapjes së tij në komunitet”, rekomandojnë epidemiologët.
Frika nga epidemia në Kosovë
Në rajon për momentin janë aktive disa vatra të mëdha epidemiologjike të fruthit, ku numri i të sëmurëve varion nga disa qindra deri në mbi një mijë raste, kryesisht për shkak të përqindjes së ulët të të vaksinuarve me vaksinën MRP.
Rreth 600 raste të konfirmuara me fruth ka në Bullgari. Sa për krahasim, në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur vetëm një rast, njoftojnë nga Qendra Kombëtare e Sëmundjeve Infektive e Bullgarisë.
Epidemi aktive ka edhe në Kosovë ku më shumë se 95 përqind e të sëmurëve janë persona të pavaksinuar. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës nga 16 prilli deri më 1 nëntor janë regjistruar 269 raste me fruth, në 23 komuna. Numri më i madh i të sëmurëve janë fëmijë.
Kjo vatër është një rrezik i drejtpërdrejtë për Maqedoninë, duke marrë parasysh se një nga pesë rastet në Maqedoni është i “importuar” nga atje.
Rumania ka epidemi afatgjatë me qindra raste. Vendi ka gjithashtu valë të lartë të të sëmurëve të rinj gjatë muajve të fundit, me çka mbetet burimi kryesor rajonal për përhapjen e virusit në Ballkan.
Raste të konfirmuara me fruth ka edhe në Itali dhe në Bosnjë e Hercegovinë.
Epidemia e fundit në Maqedoni është regjistruar në vitet 2018/2019. Edhe pse atëkohë mbulimi me vaksinim ka qenë 74,8 përqind, që është më i lartë se ai i tanishmi, pati 800 persona të hospitalizuar dhe katër raste të vdekjes. Më 2 janar të vitit 2019 Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë shpalli epidemi të fruthit në Shkup, e cila zgjati gjatë gjithë vitit.
Simptomat dhe komplikimet
Fruthi është sëmundje me infektivitet të lartë e shkaktuar nga një virus. Edhe pse shumë njerëz e njohin nga skuqja karakteristike në lëkurë, fruthi mund të shkaktojë edhe temperaturë të lartë, kollë dhe rrjedhje hundësh. Në raste të rënda ai mund të shkaktojë encefalit (inflamacion i trurit), pneumoni, verbëri, sistem imunitar të dobësuar dhe komplikime të rënda respiratore e neurologjike. Madje mund të jetë edhe fatal.
Sipas UNICEF fruthi është një nga viruset më infektiv, madje më infektiv se COVID-19, gripi, variçela ose ebola. Personi i infektuar me fruth mund të infektojë nga 12 deri në 18 persona të tjerë, nëse ata nuk janë të vaksinuar. Sëmundja është aq infektive saqë deri në 90% e individëve të pavaksinuar që bien në kontakt me virusin do të infektohen. Mund të jetë i rrezikshëm për këdo, e sidomos për foshnjat dhe fëmijët e vegjël.
Simptomat e para zakonisht shfaqen nga 7 deri në 14 ditë pas kontaktit me virusin. Sëmundja më shpesh fillon me temperaturë të lartë që mund të kalojë 40 gradë Celsius, kollë, rrjedhje hundësh, sy të skuqur dhe me lot.
Skuqja (njollat) zakonisht shfaqet tri deri në pesë ditë pas fillimit të sëmundjes. Fillimisht vihen re njolla të rrafshëta të kuqe në fytyrë, zakonisht në zonën e vijës së flokëve. Pastaj skuqja përhapet gradualisht poshtë, drejt qafës, trupit, krahëve, këmbëve dhe shputave. Në momentin kur shfaqet skuqja, temperatura e trupit mund të rritet dhe të kalojë 40 gradë Celsius.
Në vendet me të ardhura të mesme dhe të larta, siç janë ato në Evropë dhe Azinë Qendrore, një deri në dy persona e humbasin jetën në çdo 1.000 raste me fruth. Krahas kësaj te një në çdo 1.000 raste paraqitet encefalit (inflamacioni i trurit), tregojnë të dhënat e UNICEF. Njëkohësisht, nga çdo 1.000 fëmijë që sëmuren nga fruthi te 70 deri në 90 prej tyre paraqitet infeksion i veshit, te 80 shfaqet diarre, ndërsa te 10 deri në 60 zhvillohet pneumoni – infeksion i mushkërive që mund të jetë posaçërisht i rrezikshëm për fëmijët e vegjël.