Në vend është regjistruar rasti i pestë me fruth këtë vit, ndërsa mbulimi me vaksinim është vetëm 62 përqind, paralajmëroi drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Marija Andonovska, në një deklaratë për Meta. Ajo theksoi se ekziston rrezik real për një epidemi të re të fruthit, ndërsa si një nga faktorët që kontribuojnë në mungesën e besimit te vaksinimi përmendi dezinformatat që përhapen në rrjetet sociale, transmeton Portalb.mk.
Dje, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, informoi se rasti më i fundit i fruthit është konfirmuar te një fëmijë një vjeç e gjysmë, duke e çuar në pesë numrin e përgjithshëm të të prekurve. Në mesin e të infektuarve janë tre fëmijë të vegjël dhe një burrë 45-vjeçar, të gjithë shtetas të Maqedonisë së Veriut, si dhe një person nga Kosova.
Drejtoresha e ISHP-së, Marija Andonovska, paralajmëron se mbulimi i ulët me vaksinim krijon kushte për përhapjen e virusit, veçanërisht duke pasur parasysh se fruthi është ndër sëmundjet virale më ngjitëse.
“Për momentin, mbulimi me vaksinim është 62 përqind. Ekziston rreziku që të kemi sërish epidemi. Për këtë rrezik kemi paralajmëruar që gjatë verës, si Institut i Shëndetit Publik, ashtu edhe si Ministri e Shëndetësisë. Duhet theksuar se fruthi përhapet jashtëzakonisht lehtë dhe se edhe ekspozimi i shkurtër ndaj virusit në një hapësirë të mbyllur mund të shkaktojë infektim. Mjafton që një person i sëmurë të qëndrojë në një korridor ose në një dhomë pritjeje për t’i infektuar të tjerët”, tha Andonovska.
Sipas saj, veçanërisht shqetësues është ndikimi i rrjeteve sociale në besimin e qytetarëve te vaksinimi, pasi dezinformatat dhe pretendimet e pambështetura kontribuojnë në rezistencën ndaj vaksinimit.
“Nën publikimet tona ka shumë komente negative nga njerëz që nuk janë profesionistë shëndetësorë. Pretendohet se jemi të paguar, paraqiten arsye të ndryshme të pabazuara se pse fëmijët nuk duhet të vaksinohen. Secili ka të drejtë të ketë mendimin e vet, por qytetarët duhet të udhëhiqen ekskluzivisht nga informacionet e verifikuara dhe të bazuara në dëshmi mjekësore”, theksoi Andonovska.
Ajo rikujtoi edhe epideminë e fundit të madhe të fruthit, e cila filloi në vitin 2018 dhe vazhdoi në vitin 2019, kur, siç theksoi, mbulimi me vaksinim ishte më i lartë se aktualisht, por pasojat megjithatë ishin serioze.
“Në vitin 2018 patëm epidemi të fruthit, edhe pse mbulimi me vaksinim ishte më i lartë dhe arrinte në 74,8 përqind. Megjithatë, pati 800 pacientë të hospitalizuar dhe katër raste të vdekjes. Prandaj vaksinimi është i domosdoshëm”, theksoi drejtoresha.
Ajo paralajmëroi se personat e pavaksinuar janë të ekspozuar ndaj rrezikut më të madh për të zhvilluar një pasqyrë të rëndë klinike dhe komplikime nëse infektohen me fruth.
Nga 242 të infektuar në Kosovë, 230 nuk kanë marrë vaksinën
Gjendja me numrin e të prekurve në vendet e rajonit është gjithashtu shqetësuese. Në Kosovë, nga gjithsej 242 rastet e evidentuara, 230 persona nuk kanë marrë fare vaksinën MRP. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë njoftoi se nga 16 prilli deri më 25 tetor 2026 janë konfirmuar 242 raste, prej të cilave 18 janë raportuar gjatë javës së fundit.
Në Shqipëri, Instituti i Shëndetit Publik ka njoftuar se deri më tani janë evidentuar 169 raste. Vetëm gjatë muajit qershor janë konfirmuar laboratorikisht 20 raste të fruthit nga 27 rastet e dyshuara. Shqetësues është fakti i publikuar në buletinin e institutit shqiptar se madje 85 pë qind e rasteve të konfirmuara me fruth janë hospitalizuar.
Ndërkaq, Qendra Kombëtare për Sëmundje Infektive dhe Parazitare dhe Ministria e Shëndetësisë e Bullgarisë, në buletinin javor epidemiologjik, njoftuan se nga fillimi i vitit janë raportuar 592 raste të fruthit, prej të cilave katër gjatë javës së fundit raportuese.
Në epideminë para shtatë vjetësh vdiqën katër persona dhe 800 u hospitalizuan
Më 2 janar 2019, Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut shpalli epidemi të fruthit në Shkup, e cila zgjati gjatë gjithë vitit. Rasti i parë u evidentua te një fëmijë që nuk ishte vaksinuar kundër fruthit dhe që frekuentonte një kopsht në lagjen Radishan. Autoritetet ndaluan frekuentimin e kopshteve për fëmijët që nuk e kishin marrë vaksinën kundër fruthit.
Fruthi është sëmundje shumë ngjitëse, e shkaktuar nga një virus. Sëmundja përhapet lehtësisht kur një person i infektuar merr frymë, kollitet ose teshtin. Ajo mund të shkaktojë sëmundje të rëndë, komplikime, madje edhe vdekje. Nga fruthi mund të preken të gjithë, por më së shpeshti shfaqet te fëmijët. Fruthi infekton rrugët e frymëmarrjes dhe më pas përhapet në të gjithë trupin.
Simptomat e fruthit zakonisht fillojnë 10–14 ditë pas ekspozimit ndaj virusit. Skuqja e lëkurës është simptoma më karakteristike. Simptomat e hershme zakonisht zgjasin 4–7 ditë. Ato përfshijnë rrjedhje të hundëve, kollë, sy të skuqur dhe të përlotur (konjuktivit), si dhe njolla të vogla të bardha në pjesën e brendshme të faqeve.
Skuqja e lëkurës fillon rreth 7–18 ditë pas ekspozimit ndaj virusit, zakonisht në fytyrë dhe në pjesën e sipërme të qafës. Ajo përhapet gjatë rreth tri ditëve, duke arritur përfundimisht në duar dhe këmbë. Zakonisht zgjat 5–6 ditë para se të zhduket. Shumica e vdekjeve nga fruthi shkaktohen nga komplikimet që lidhen me sëmundjen.