Rasti i pestë me fruth në RMV, është infektuar një foshnjë njëvjeçare e gjysmë

Edhe një rast me fruth, i pesti me radhë, është regjistruar në vend. Bëhet fjalë për një foshnjë njëvjeçare e gjysmë, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, para fillimit të konsultimit kombëtar për ligjin e ri për barnat, të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), transmeton Portalb.mk.

Me rastin e ri, deri më tani fruthi është konfirmuar te tri foshnja dhe një burrë 45-vjeçar, të gjithë shtetas të Maqedonisë së Veriut, si dhe te një person nga Kosova.

Klekovski tha se ekziston një lidhje paraprake ndërmjet rastit të shtetasit të Kosovës dhe tri rasteve te shtetasit e vendit, por se do të pritet analiza epidemiologjike e Institutit të Shëndetit Publik para se kjo lidhje të konfirmohet zyrtarisht.

Po zhvillohen hetime epidemiologjike për rastet parësore dhe dytësore, si dhe mbikëqyrje inspektuese në institucionet shëndetësore ku ka pasur kontakte të mundshme me personat e infektuar.

Ministri nuk paralajmëroi masa të detyrueshme për vaksinim, por u bëri thirrje qytetarëve që ta kontrollojnë historikun e tyre të vaksinimit dhe të vaksinohen nëse nuk i kanë marrë dy dozat ose nuk e kanë kaluar më parë sëmundjen. Siç tha, ai nuk beson në masat e detyrueshme, pasi sipas tij, ato mund ta rrisin rezistencën ndaj vaksinimit.

“Thirrja për vaksinim bëhet për t’i mbrojtur ata që nuk mund të vaksinohen. Pra, foshnjat deri në moshën 12 muajshe nuk mund të vaksinohen. Kemi vazhdimisht një grup prej rreth 15 mijë foshnjash që janë në një nivel të caktuar rreziku. Natyrisht, edhe popullata më e moshuar që nuk është vaksinuar”, tha ai.

Ai theksoi se fruthi është ndër sëmundjet virale më ngjitëse dhe se virusi mund të mbetet infektues në ajër deri në dy orë. Prandaj, qytetarët te të cilët shfaqen simptomat tipike nuk duhet të shkojnë drejtpërdrejt në institucionet shëndetësore, por fillimisht duhet të kontaktojnë mjekun. Ndërkaq, prindërit nuk duhet t’i dërgojnë fëmijët me simptoma në çerdhe ose në shkollë.

Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vend, dr. Akim Ali, theksoi se është e domosdoshme që shkalla e vaksinimit të arrijë në 95 përqind.

Ai shtoi se mbulimi aktual me vaksinim në vend është nën nivelin e nevojshëm dhe theksoi rëndësinë e mbrojtjes së grave shtatzëna, pasi infeksioni me fruth mund të shkaktojë komplikime të lindura te fetusi.

FruthiSasho Klekovski