Në pranverë rekonstruohet Qeveria e Maqedonisë, Kasami: mund të jemi pjesë e saj

Megjithëse u tha se në takimin e fundit që u realizua mes kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe Bilall Kasamit të Lëvizjes BESA nuk është diskutuar për hyrjen e BESA-s në Qeveri, kjo gjë u demaskua sot, njofton Portalb.mk.

Në një deklaratë për “Birn Maqedoni”, Kasami bëri të ditur se në pranverë pritet rekonstruim i qeverisë së Maqedonisë dhe Zaev i ka propozuar që ta mendojë përfshirjen e BESA-s në të.

“Sipas fjalëve të Zaevit rekonstruimi i parë pritet në pranverë dhe ai na ofroi që ta mendojmë se nëse atëherë do të bëheshim pjesë e qeverisë”, tha Kasami duke shtuar se partia e tij ka kuadro me të cilat do të mund të kontribuonte në Qeveri.

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski i pyetur për atë se në takimin Zaev – Kasami a është diskutuar edhe për mundësinë e hyrjes së BESA-s në Qeverinë e Maqedonisë, ai tha shkurt: “Kjo nuk ka qenë temë diskutimi”.

Moshyrjen e BESA-s në Qeveri Kasami e paraqet si vendim të disa, siç i quan ai, lobistëve të sektorit civil të cilët duke qenë financues të BESA-s ndikuan në vendim.

“Kishte ndikim dhe trysni që të mos hyjmë në Qeveri, për shkak të lidhjeve të disa strukturave me sistemin paraprak, konkretisht me VMRO-DPMNE-në. Do të thotë, lidhje jo me BDI-në, por drejtpërdrejt me VMRO-DPMNE-në”, tha Kasami.

Kiril Bozhinovski lidhja mes BESA-s dhe VMRO-DPMNE-së

Meqë sipas Kasamit mospërfshirja e BESA-s në Qeveri ka ardhur si pasojë e ndikimit të lobistëve civilë që kanë lidhje me VMRO-DPMNE-në, ai tregoi edhe vegzën që mundësoi lidhjen, dhe ai është analisti politik, Vlladimir Bozhinovski, që në opinion, nëpërmjet “bombave” është parë që është i afërt me VMRO-DPMNE-në.

“Formalisht nuk e di se si ka qenë i angazhuar, por në opinion doli se janë konsultuar. Unë si kryetar nuk kam asnjë lidhje me Bozhinovskin, kjo do të thotë se kanë funksionuar komunikime paralele”, tha Kasami.

Sipas Kasamit, strukturat të cilat para zgjedhjeve qëndruan të mënjanuar dhe nuk besuan në sukses, më pas vendosën dorë në parti dhe përpiqeshin, në disa momente të rëndësishme, të ndikojnë në vendimet e BESA-s.

“Nuk bëhet fjalë për sipërmarrës klasik”, tha Kasami, “ata janë njerëz të sektorit civil që janë burim i financave, të cilat i shfrytëzojnë për ndikim në parti”.

Përndryshe, kjo deklaratë e Bilall Kasamit vjen pasi që partia shqiptare opozitare Lëvizja BESA është ndarë në dy grupe, njëri grup që është “kundër” që Kasami të jetë kryetar i partisë deri në mbajtjen e kongresit partiak në shkurt, që njihet si BESA e “Karemanit” dhe grupi tjetër, që është “për” Kasamin që të jetë lideri i partisë deri në mbajtjen e kongresit partiak.

Grupi i “Karemanit” e shkarkoi nga posti i kryetarit Bilall Kasamin dhe në vend të tij, si udhtrues detyre të kryetarit të partisë e vendosi deputetin e kësaj partie, Nexhbedin Karemani, megjithatë për vlefshmërinë e shkarkimit kërkesa ende nuk ka arritur në Regjistrin Qendror.

Kjo parti hapi edhe seli të reja, njëra u hap në Tetovë nga grupi i “Karemanit” dhe tjetra në Shkup nga grupi i “Kasamit”.

Përqarjet në BESA ndikuan edhe në grupin parlamentar të kësaj partie, grupi i “Karemanit” ka dy deputetë, përfshirë atë dhe Rexhep Memedin i cili erdhi në vend të Bilall Kasamit, pasi që ky i fundit dha dorëheqje si pasojë e kandidaturës për kryetar të Komunës së Tetovës. Grupi i “Kasamit” ka tre deputetë.

Prapaskenat e përçarjeve në BESA, çfarë ndodhi dhe kush e ka shumicën? (Dokumente)

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button