Viti 2017 nisi rrugëtimin euro-atlantik: a do të arrijë Maqedonia të hyp në tren më vitin 2025?

Viti 2017 Maqedonisë i solli një mundësi të re në procesin euro-atlantik të saj e cila erdhi me zgjidhjen e krizës politike, me terrorin e 27-prillit në Kuvendin e Maqedonisë, me ndryshimin e Qeverisë dhe me nisjen e një “politikëbërje të re”, shkruan Portalb.mk.

Megjithëse një mundësi e re, sipas njohësve të politikës së jashtme viti 2018 do të jetë edhe më i vështirë, sepse që të arrihet treni i vitit 2025 me të cilin do të udhëtojnë për në Bashkimin Evropian, Mali i Zi dhe Serbia, duhet të realizohen reforma të shumta.

Sipas komentuesve të Portalb.mk, pushtetarët aktual duhet të ndërmarrin hapa konkrete për të plotësuar rekomandimet e Komisionit Evropian dhe grupit të ekspertëve të Rejnhard Pribe-së të cilat parashihen edhe me Planin 3-6-9.

Të gjithëve iu parashtrua e njëjta pyetje: Nga mënyra se si dhe sa u punua në procesin euro-atlantik të Maqedonisë, si e vlerësoni vitin 2017 dhe çfarë pritni ndryshe në vitin 2018?

Përgjigjet mund t’i shihni më poshtë, radhitur sipas alfabetit shqip (a-zh).

Ardita Abazi Imeri

Ardita Abazi Imeri

Ardita Abazi, Instituti për Politika Evropiane

“Vitin 2017  do ta mbajmë mend me përfundimin e krizës politike më të vështirë në historinë e  Maqedonisë, por dhe me  detyrat e vështira me të cilat po ballafaqohet Qeveria për çlirimin e shtetit të kapur. Pamja më e gjerë e mjedisit politik në gjysmën e dytë të vitit 2017 ilustron një përparim shumë të nevojshëm. Qeveria ka bërë hapa të mirë dhe ka treguar vullnet politik për procesin eurointegrues. Këtu do të përmendja Marrëveshjen me Bullgarinë si një e arritur e shkëlqyeshme. Mirëpo procesi i reformave ka ngecur pak. Shpresoj që gjatë 2018-s, partia më e madhe opozitare do të kthehet në Parlament dhe do të luan rolin e rëndësishëm që e ka për të ndihmuar proceset eurointegruese nëpërmjet konstruktivitetit politik dhe mbështetjes së reformave kyçe për këtë proces. Vetëm me një bashkëpunim të të gjithë faktorëve politik mund të ecim përpara në rrugën e eurointegrimeve. Gjithashtu duhet të kemi parasysh se përvoja nga zgjerimi i mëparshëm tregon se “ndikimet negative mund të ndodhin edhe përkundër angazhimit zyrtar të Brukselit për të çuar përpara konsolidimin demokratik”.  Është më se e nevojshme të vazhdoj debati mbi çështjet evropiane dhe sfidat specifike që kanë të bëjnë me menaxhimin e pritjeve të anëtarësimit”.

 

Goran Llazarov

Goran Llazarov

 

Goran Llazarov, organizata joqeveritare “Evrothink”

“Mund të fillojmë nga ajo se viti 2017 ishte një nga vitet më të rënda sa i takon zhvillimeve politike. Për fat të keq e kishim 27-prillin, ku ishim në udhëkryq se si dhe çfarë do të ndodh në të ardhmen. Megjithatë fundin e pritëm më të qetë, në të cilën shohim se disa punë ndryshohen në të mirë, por ka edhe çështje që duhet të zgjidhen në vitin 2018. Për ne është e rëndësishme çështja e procesit evro-integrues, me Bashkimin Evropian që shpresojmë se do të zgjidhet në vitin e ardhshëm. Viti 2018 pret shumë punë, pasi tërë ajo çfarë nuk u bë në dhjetë vitet paraprake, duhet të bëhet tash. Edhe Johanes Han e tha se viti i ardhshëm është vendimtar sa i takon realizimit të reformave, jo vetëm në politikën e jashtme, por edhe atë të brendshme. Të gjitha këto do të determinohen nga reformat në gjyqësor, në shërbimet sekrete, në administratën publike dhe në media”.

 

Nano Ruzhin

Nano Ruzhin

 

Nano Ruzhin, ish-ambasador i Maqedonisë në NATO

“Vlerësoj se viti 2017 ka qenë i karakterizuar me ngjarje të çuditshme, me një populizëm kundër NATO-s dhe BE-së, kështu që ndryshimet që ndodhën, gjatë 2017-s, falë zgjedhjeve parlamentare dhe konstituimit të Qeverisë, bëri që të kemi një demokraci më të lartë në planin e brendshëm zhvillimor dhe një bashkëpunim më të madh rajonal në planin e jashtëm zhvillimor. Momenti tjetër i rëndësishëm është se Maqedonia u afrua më shumë me NATO-n dhe BE-në duke përmirësuar raportet e ftohta ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë. Në këtë pikëpamje, vitin 2018 mund ta presim në një gjendje më të relaksuar edhe pse Maqedonia në plan të brendshëm e pret një makineri reformash, me anë të së cilave duhet të tejkalojë dëmet që i la regjimi i kaluar, zbrazëtirat ekonomike, format e ndryshme të manipulimit që të kthehet ajo demokraci e cila ishte e dëmtuar. Presim në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm të kemi rezultatet të mëdha në procesin eurointegrues”.

 

Selim Ibraimi

Selim Ibraimi

 

Selim Ibraimi, Qendra për Studime të Sigurisë

“Në fillim, viti 2017 me qeverinë e Gruevskit, kishte dinamikë të njëjtë shoqërore. Vendi ishte i bllokuar nga të gjitha anët dhe pa perspektivë. Me ardhjen e qeverisë së re, si duket shpresat për një jetë më të mirë në Maqedoni janë shtuar. Janë bërë disa hapa pozitiv në drejtim të përmirësimit të jetës së banorëve të Maqedonisë. E ardhmja e Maqedonisë tanimë është në duart e qytetarëve dhe kjo u vërtetua edhe me zgjedhjet e fundit lokale. Duhet shtuar se për më shumë se një dekadë, Maqedonia u ballafaqua me shumë probleme dhe tensione të brendshme dhe shumë procese drejt BE-së që ish qeveria i humbi. Tani, sipas deklarimeve të qeverisë së re, Maqedonia po ecën drejt një zgjidhje të re për emrin dhe përmbushjes së kritereve të Pribe-së. Por në disa momente, drejtuesit e politikës, kanë tendenca t’i devijojnë proceset dhe të përqendrohen në luftën politike për më shumë pushtet. Është koha që zënkat dhe inatet personale të lihen anësh dhe interesi i individit të vihet para atyre personale dhe partiake. Mbizotëron mendimi se një epokë e re ka filluar në Maqedoni, pasi shumë trende negative si: migrimi, korrupsioni, nepotizmi dhe papunësia kanë shkatërruar Maqedoninë. Po bëhen përpjekje për lindjen e një klase të re politike edhe në bllokun shqiptar, por procesi do të kërkojë kohë dhe energji për lëvizje të reja politike që do të sjellin përparim. Kuptohet që Maqedonia ishte në një fazë kritike, tanimë ajo kohë ka kaluar dhe lidershipi duhet të vihet përballë reformave të vërteta për të gjithë. Viti 2018 sigurisht se do ketë një fillim më të mirë krahasuar me vitin e kaluar kur çdo gjë ishte e pasigurt në Maqedoni. Në qershor priten reagimet e para në Komisioni Evropian, bisedimet për emrin e shtetit duhet të vazhdojnë dhe një varg sfidash që qeveria duhet t’i përballojë. Megjithatë Maqedonia dhe klasa politike ka shumë punë për të bërë që një ditë të jemi pjesë e familjes evropiane. Reformat dhe ndryshimet duhet të jenë thelbësore për të zvogëluar efektet e krizave që e bëjnë Maqedoninë shtet të brishtë të kapur nga politikanët dhe aktorët tjerë. Shpresa për t’u bërë më mirë në Maqedoni nuk ka humbur, mbetet vetëm të kemi dëshirë që të ndryshojmë dhe të jetojmë sipas standardeve të BE-së”.

Takimi i fundit i eurokomesarit Johanes Han me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, 20.11.2017

“Me kënaqësi i dëgjoj projektet kyçe të cilat i marrin institucionet përkatëse. Punët shkojnë në drejtim të mirë dhe duhet edhe më shumë të punohet. Unë nuk jam naiv, sipas vlerësimeve, nëse popullata e sheh si qëllim nacional integrimin në BE, atëherë të gjithë duhet të përkushtoheni, opozita duhet të luaj rol konstruktiv, që të arrihen të gjitha afatet dhe datat që të arrihet zhvillimi. Pranoj se ka  ndryshime në shtet, të cilat janë të patjetërsueshëm për shkak të mjedisit politik, keni arritur zhvillim të madh, jeni shembull për rajonin dhe ju falënderoj për përkrahjen në bashkëpunimin me rajonin. Bashkë kemi arritur shumë, mendoj se disa herë po punojmë, pra BE punon për perspektivën evropiane të vendit tuaj dhe ajo mund të arrihet”, deklaroi euro komesari për Zgjerim, Johanes Han pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev.

Nga 173 vizita sa Johanes Han i ka pasur në Shkup, katër janë realizuar më vitin 2017.

Ka pothuajse 25 vjet që Maqedonia nuk ka zgjidhur problemin me çështjen e emrit, e cila do të hapte rrugën e anëtarësimit të saj në NATO dhe Bashkimin Evropian, por për të njëjtën ende nuk është arritur konsesus politik dhe nacional brenda Maqedonisë. Sipas deklaratave të fundit se “Maqedonia do të quhet Maqedonia e re” dhe se “në emrin e Maqedonisë nuk duhet të ketë emër Maqedonia“, shihet se konsesus nacional dhe politik nuk është arritur as nga pala greke.

Në lidhje me çështjen e emrit Maqedoni – Greqi, profesori i Universitetit në Graz të Austrisë, Florian Biber tha se zgjidhja e çështjes së emrit nuk do të arrihet as me presion të Greqisë dhe as me caktime të datave. Sipas Biber, Maqedonia fillimisht duhet të fokusohet në pavarësinë e gjyqësorit, reformimit të administratës dhe arritjes së konsensusit politik.

Përndryshe, ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos, duke i komentuar ngjarjet e fundit në bisedimet mes Shkupit dhe Athinës, deklaroi se partia e tij Grekë të Pavarur, e cila është partnere më e vogël e koalicionit në Qeverinë e Greqisë, nuk do ta pranojë fjalën “Maqedoni” të qëndrojë në emrin e fqiut verior.

Ndërkaq ditë më parë mediat greke nxorën informata se “Maqedonia do të ketë emër të ri Maqedonia e re”, në lidhje me këtë kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka vlerësuar se propozimi që Maqedonia të quhet “Maqedonia e re” është propozim i mediave kurse në takimin e ardhshëm që duhet të bëhet ndërmjet palëve negocuese Greqi – Maqedoni nuk pritet të ketë propozime të reja për emrin e Maqedonisë.

Ndryshe, bisedimet për çështjen e emrit do të vazhdojnë në periudhën pas festave. Pas ngecjes trevjeçare në Bruksel u mbajtën bisedime midis ndërmjetësuesit të KB-së Metju Nimic dhe përfaqësuesve të Maqedonisë dhe Greqisë, Vasko Naumovski dhe Ademantios Vasilakis, Pas takimi, Nimic deklaroi se çështja e emrit me Greqinë mund të zgjidhet vitin e ardhshëm.

LEXO: Han: Zgjidhje e mundshme për Maqedoninë në gjysmën e parë të vitit 2018

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP