Vrasës serik me elementë femicidi, Prokuroria e Kumanovës zgjeroi hetimin ndaj një 25-vjeçari

Prokuroria Publike e Kumanovës ka zgjeruar hetimin kundër 25-vjeçarit T. B., një bari nga fshati Nagoriçan i Vjetër, për katër krime të tjera të rënda. Sipas prokurorit Ljubomir Llape, provat tregojnë se ky është rasti i parë i regjistruar i një vrasësi serik në vend, me elementë të femicidit. Llape thotë se pas sigurimit të provave të reja, hetimi tani mbulon gjithsej gjashtë krime – katër vrasje të përfunduara dhe dy tentativa vrasjeje, transmeton Portalb.mk.

Prokurori Llape shpjegoi se viktimat në të gjitha rastet ishin gra, gjë që tregon dhunë të bazuar në gjini.

“Për sa di unë, ky është rasti i parë në të cilin provat sugjerojnë se ky është një vrasës serik i cili gjithashtu kreu krimin e femicidit, pra dhunë të bazuar në gjini”, tha prokurori në konferencën e sotme me gazetarët.

Prokuroriinformoi se aktivitetet hetimore u zhvilluan sipas një plani të përcaktuar, gjatë të cilit u analizuan ngjarje nga tre vjet më parë.

“Si pjesë e hetimit, u formua një ekip i posaçëm për të analizuar të gjitha gratë e vdekura në periudhën e caktuar, në të cilat kishte indikacione se vdekja mund të ishte rezultat i një vepre penale të vrasjes. Pas analizës, u përgatit një listë e viktimave të mundshme, dhe në tre raste u bë një vlerësim për zhvarrim dhe autopsi”, tha Llape.

Tek njëra prej të ndjerave, tha ai, nuk u gjetën gjetje që tregojnë për vrasje, por tek dy gra u përcaktua se ato ishin viktima.

Lidhur me vrasjet në tentativë, Llape tregoi se njëra nga gratë e sulmuara nuk e pa autorin, ndërsa e dyta e pa dhe e njohu të dyshuarin.

Dy vrasjet e para, për të cilat është hapur tashmë hetim, ndodhën në periudhën nga 23 janari deri më 12 shkurt, ndërsa hetimi i dytë lidhet me ngjarjet nga 17 deri më 18 janar të këtij viti. Zgjerimi i tretë i hetimit mbulon vrasjet e kryera në periudhat nga 5 deri më 6 janar dhe nga 5 deri më 6 qershor të vitit të kaluar. Vrasjet në tentativë, sipas hetimit, u kryen më 21 qershor dhe 9 shkurt të vitit të kaluar.

Llape informoi se hetimi do të vazhdojë dhe shprehu pritjen se pas përfundimit të tij, në një periudhë kohore realisht të shkurtër, do të ngrihet një aktakuzë kundër të dyshuarit.

Ai konfirmoi se personi është ende në paraburgim, i cili është zgjatur, dhe se një aktakuzë zyrtare do të pasojë pas përfundimit të procedurës hetimore.

Njëzet e pesë vjeçari T. B. nga fshati Malotinë në komunën e Nagoriçanit të Vjetër u arrestua më 13 shkurt të këtij viti si i dyshuar për vrasjen e një banores 78-vjeçare të fshatit Çellopek. Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë hapi hetim për rastin, dhe gjithashtu tha se në veprime të koordinuara me Ministrinë e Brendshme dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore tashmë po punojnë për ta lidhur këtë rast me disa ngjarje të tjera të ngjashme. I dyshuari iu nënshtrua edhe një vlerësimi psikiatrik nga një ekip ekspertësh.

FemicidKumanovaVrasje - Ekzekutim