Kryetari i LSDM-së, Venko Filipce, deklaroi se partia do të bllokojë miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, duke vlerësuar se zgjidhjet e propozuara nuk janë në përputhje me standardet demokratike dhe evropiane dhe lënë hapësirë për abuzime, raporton Portalb.mk.
Një nga vërejtjet e LSDM-së ka të bëjë me propozimin për votim elektronik për diasporën. Sipas Filipçes, votimi elektronik i propozuar nuk ofron mekanizma të mjaftueshëm për verifikimin e identitetit të votuesve dhe, siç thotë ai, hap rrezikun e votimit të pakontrolluar dhe manipulimit të mundshëm zgjedhor.
“Së pari, propozohet votimi elektronik për diasporën. Kjo do të thotë pa asnjë verifikim të njerëzve që nuk i njohim, emigrantëve tanë, se ku janë, cilët do të kontrollojnë identitetin e tyre. Ata thjesht do të jenë në gjendje të votojnë para një kompjuteri dhe kjo do të ketë të njëjtën vlerë si votimi në atdhe. Kjo hap rrezikun e votimit masiv dhe të pakontrolluar, ashtu siç ishte gjatë qeverive të Nikolla Gruevskit. Është një sistem shumë i rrezikshëm, i cili hap derën për manipulim zgjedhor dhe vjedhje nga kjo qeveri”, tha Filipçe në një konferencë për shtyp të LSDM-së.