Parku Kombëtar “Mali Sharr” do të pyllëzohet me 30.000 fidanë të rinj në dy lokacione. Siç njoftojnë nga parku, për pyllëzimin janë paraparë lloje autoktone të drunjve, përfshirë bredhi i bardhë, pisha e bardhë, ahu dhe panjë, të cilat do të përzgjidhen dhe shpërndahen në bazë të kushteve natyrore të terrenit në dy lokacionet, Gjermo dhe Setole. Është paraparë pyllëzimi i gjithsej 12 hektarëve, transmeton Portalb.mk.
“Dje patëm për vizitë e partnerët tanë nga Holanda, me të cilët vizituam sipërfaqet ku aktualisht po zhvillohen aktivitetet e ripyllëzimit, si dhe një pjesë të lokacioneve të ripyllëzuara gjatë vitit të kaluar, me qëllim që të vlerësojmë gjendjen dhe zhvillimin e ripyllëzimeve të reja. Edhe këtë vjeshtë vazhdojmë me ripërtëritjen e pyjeve në Malin Sharr, në kuadër të bashkëpunimit me PURE PROMISE, përmes së cilës është siguruar donacion për ngritjen dhe mirëmbajtjen e plantacionit pyjor për një periudhë trevjeçare”, thonë nga Parku Kombëtar “Mali Sharr”.
Nga Parku Kombëtar theksojnë se gjatë dy viteve të ardhshme është paraparë përkujdesje e rregullt, monitorim i gjendjes shëndetësore të fidanëve dhe plotësim me fidanë të tjerë aty ku do të jetë e nevojshme.
“Vizita ishte gjithashtu një mundësi për të vlerësuar së bashku rezultatet e ripyllëzimit të vitit të kaluar, për të shkëmbyer përvoja dhe për të diskutuar mbi aktivitetet e ardhshme për ripërtëritjen e ekosistemeve pyjore. Për ne, ripyllëzimi nuk nënkupton vetëm mbjelljen e drurëve të rinj. Ai është një proces afatgjatë i ripërtëritjes së sipërfaqeve pyjore të dëmtuara, rikthimit të vegjetacionit natyror dhe krijimit të kushteve për zhvillimin e pyjeve të shëndetshme dhe rezistente”, theksojnë nga Parku Kombëtar.