Derisa punimet për rikonsturimin e rrugës në Lagjen Jashta Vardarit në Tetovë po zvarriten, banorët ankohen për lëvizje të kufizuar nga gropat dhe balta, ndërkaq komuna u zotua se do të intensifikohen punimet, raporton Portalb.mk.
Punimet për rikonstrimin e rrugës në Lagjen Jashta Vardarit kanë filluar që para disa javësh, megjithatë banorët ankohen se punimet janë duke u zvarritur, kështu duke kufizuar lëvizjen e lirë të tyre.
“Na duhet rruga jo vetëm për fëmijët por prej gropave as ne nuk mund të lëvizim. Ndonjë ditë punojnë ndonjë ditë jo”, thotë një banor.
Disa nga banorët ankohen edhe për dëmtim të veturave.
“Pengon normal, se as veturat s’mund të lëvizin”, tha një qytetar.
“Po gjendja si shihet, duhet të përfundojë, tani edhe ka reshje bëhet baltë, nuk duken as gropat mbushen me ujë”, tha një banor.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami njoftoi se do të kërkojë nga kompania që t’i përshpejtojë punimet.
“I siguroj banorët që ditët në vijim do të vazhdojnë punimet me intensitet më të lartë, por nuk është thjesht për një gërryerje dhe asfaltim por bëhet fjalë për një projekt që për tridhjetë vitet e ardhshme do e zgjidh çështjen e infrastrukturës së përgjithshme të asaj zone, andaj bëj thirrje që banorët të kenë durim dhe unë do insistoj dhe do thërras kompaninë që të rrisin intensitetin e punimeve aty që sa më shpejtë të mbyllen punimet”, tha Kasami për Alsat.
Dje, 11 nëntor derisa vizituam këtë pjesë rreth orës 12:40, aty nuk kryheshin punime.
Banorët e kësaj lagje edhe në muajin shtator u ankuan për Portalb.mk për gjendjen e rrugëve dhe dëmtimet që siç thonë janë shkaktuar nga punimet për zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit. Pasi Portalb.mk e ngriti këtë çështje, në terren filluan punimet.
Kujtojmë se punimet për rikonstruimin dhe zgjerimin e rrjetit primar të furnizimit me ujë në lagjen “Jashta Vardarit”, në gjatësi prej 2.600 metrash, nisën në maj të vitit 2025.