Edhe pse buxheti për arsimin është rritur, ndërsa po rritet edhe interesi për arsimin profesional, Maqedonia e Veriut ende përballet me dobësi serioze në cilësinë e mësimdhënies, gjithëpërfshirjen dhe arsimin e lartë, thuhet në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2026, transmeton Portalb.mk.
Sipas të dhënave nga PISA 2025 Maqedonia arrin rezultate dukshëm nën mesataren e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) në matematikë, lexim dhe shkenca natyrore, pa ndonjë përparim të rëndësishëm nga cikli i vitit 2022.
Nga Komisioni theksojnë se shpenzimet publike për arsim dhe trajnim kanë shënuar një rritje të lehtë në vitin 2025, por ende mbeten dukshëm nën mesataren e Bashkimit Evropian. Buxheti për arsimin si pjesë e buxhetit të përgjithshëm shtetëror në vitin 2025 është rritur në 12,2 përqind, krahasuar me 11,05 përqind në vitin 2024.
Në arsimin fillor numri i nxënësve ka rënë për 3,1 përqind, ndërsa në arsimin e mesëm është rritur për 0,4 përqind krahasuar me vitin e kaluar. Nga Komisioni theksojnë se koncepti për arsimin fillor po integrohet gradualisht, përfshirë këtu edhe përmes prezantimit të aftësive të gjelbra dhe kurrikulave të reja, por çështja e heqjes së përmbajtjeve që kanë të bëjnë me shëndetin seksual dhe reproduktiv si dhe barazinë gjinore nga arsimi fillor dhe i mesëm ende mbetet e pazgjidhur.
Theksojnë edhe se gradualisht po integrohet këshillimi për karrierë në shkollat fillore dhe të mesme.
Koncepti i ri për Arsim dhe Trajnim Profesional (ATP), i cili u përgjigjet ndryshimeve të shpejta në tregun e punës, e prezanton mësimin praktik në mjedisin e punës dhe fokusohet në gjithëpërfshirjen, u miratua në maj të vitit 2025.
“Në vitin shkollor 2025/2026 me punë filluan tre qendra të reja rajonale për arsim dhe trajnim profesional, duke e çuar kështu numrin e përgjithshëm të qendrave në tetë, përkatësisht nga një në secilin rajon. Vihet re trend i qartë i rritjes së pjesëmarrjes së nxënësve të regjistruar në arsimin profesional, i cili përbën 71 përqind të të gjithë nxënësve në arsimin e mesëm. Një e treta e nxënësve në arsimin profesional e ndjekin arsimin dual, i cili e kombinon mësimin në shkollë me trajnimin praktik në kompani“, thuhet në raport.
Sa i përket arsimit të lartë në vitin akademik 2025/2026 janë regjistruar gjithsej 55.036 studentë, që paraqet rritje prej 2,8 përqind. Vajzat përbëjnë 59,9 përqind të numrit të përgjithshëm të studentëve.
Numri më i madh i studentëve, përkatësisht 77,8 përqind, janë regjistruar në institucione publike të arsimit të lartë, ndërsa 22,2 përqind studiojnë në institucione private.
KE thotë se përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë vazhdon të jetë sfidë.
“Maqedonia e Veriut duhet të punojë në zbatimin e plotë të detyrimeve kryesore nga Raporti i Zbatimit të Procesit të Bolonjës nga viti 2024, përfshirë këtu edhe në raport me lirinë akademike, autonominë institucionale, pjesëmarrjen e studentëve dhe përgjegjësinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe në arsimin e lartë. Krahas kësaj është e nevojshme edhe të sigurohen afate kohore adekuate dhe të garantohen konsultime publike adekuate me të gjitha palët e interesuara, sidomos sa i përket njohjes automatike të kualifikimeve dhe sigurimin e cilësisë“, thonë nga KE.
Komisioni Evropian përmend edhe protestat dhe peticionin e studentëve për dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.
“Një peticion dhe protestat e një grupi studentësh të drejtësisë, të cilët kërkuan që provimi i jurisprudencës të mund të jepet në gjuhën shqipe, nxitën debat publik, duke hapur diskutime më të gjera dhe të përsëritura mbi zbatimin në praktikë të të drejtave gjuhësore dhe përfaqësimin e drejtë të komuniteteve joshumicë në institucionet shtetërore”, thuhet në raport.
Edhe krahas përparimit në përfshirjen e nxënësve me nevoja të veçanta në shkollat fillore, pjesëmarrja e tyre në numrin e përgjithshëm të nxënësve në vitin shkollor 2025/2026 përbën vetëm 1,5 përqind, që është rritje prej vetëm 0,2 përqind. Numri i asistentëve arsimorë në arsimin fillor është rritur nga 1.018 në vitin shkollor 2024/2025 në 1.356 në vitin shkollor 2025/2026.
Gjatë periudhës së raportimit në shkollat fillore janë angazhuar 43 mediatorë romë në 24 komuna, gjë që paraqet një rënie të lehtë krahasuar me vitin shkollor 2024/2025, ndërsa edhe numri i nxënësve romë në arsimin fillor dhe të mesëm ka rënë.
“Në prill të vitit 2026 me ndryshimet e Ligjit për Arsimin e Mesëm u prezantuan funksionet e mediatorëve romë për nxënësit në shkollat e mesme. Si rezultat i kësaj u angazhuan 21 mediatorë në 16 komuna. Në arsimin parashkollor nuk ka mediatorë romë. Në vitin shkollor 2025/2026 numri i përgjithshëm i fëmijëve romë në arsimin parashkollor ishte 526, 99 fëmijë më pak krahasuar me vitin e kaluar. Në arsimin fillor dhe të mesëm numri i tyre ishte 9.515, përkatësisht 1.504, që paraqet rënie të numrit në të dyja nivelet arsimore“, thuhet në raport.
Në arsimin e mesëm bursa kanë marrë 1.104 nxënës romë. Në arsimin e lartë numri i studentëve romë që kanë marrë bursa ka qenë 115, ndërsa numri i përgjithshëm i studentëve romë ka rënë nga 250 në 210 krahasuar me vitin akademik paraprak.
Nga Komisioni Evropian theksojnë edhe se autoritetet duhet ta përforcojnë më shumë zhvillimin e aftësive digjitale gjatë arsimit fillor dhe të mesëm dhe t’i rrisin kapacitetet e institucioneve arsimore dhe aftësitë e mësimdhënësve në përputhje me Planin e Veprimit për Arsimin Digjital të BE-së për periudhën 2021–2027.
Maqedonia vazhdon të marrë pjesë në programin Erasmus+ si vend partner. Në vitin 2025 organizatat nga vendi morën pjesë në më shumë se 700 projekte, nga të cilat 400 ishin projekte për mobilitetin e të rinjve.
Megjithatë, Agjencia Kombëtare për Programet Evropiane të Arsimit dhe Mobilitetit është nën mbikëqyrje të shtuar nga Komisioni Evropian për shkak të numrit të madh të rasteve të konstatuara të mosrespektimit të rregullave.
Përndryshe, Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në u publikua më 4 nëntor.