Gjithsej 136.305 turistë qëndruan në Maqedoninë e Veriut gjatë shtatorit të vitit 2026, duke realizuar 264.370 netqëndrime, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), transmeton Portalb.mk.
Të dhënat tregojnë se në shtator numri më i madh i vizitorëve ishte nga jashtë, të cilët përbënin 75,1 përqind të numrit të përgjithshëm të turistëve, ndërsa 24,9 përqind ishin turistë vendorë. Sa i përket netqëndrimeve, turistët e huaj përbënin 66,2 përqind, ndërsa turistët vendorë 33,8 përqind.
Pjesa më e madhe e turistëve të huaj që vizituan vendin në shtator ishin nga Turqia, gjithsej 27.933 vizitorë. Në listën e vendeve me numrin më të madh të turistëve pasojnë Serbia me 8.358 turistë, Gjermania me 6.633 dhe Polonia me 4.656 turistë.
Për periudhën janar-shtator 2026, të dhënat tregojnë rritje të turizmit prej 3 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri i turistëve vendorë është rritur për 2,8 për qind, ndërsa ai i turistëve të huaj për 3 përqind.
Gjatë së njëjtës periudhë, numri i përgjithshëm i netqëndrimeve është rritur për 3,5 përqind. Te turistët vendorë rritja e netqëndrimeve ishte 2,4 përqind, ndërsa te turistët e huaj është regjistruar rritje prej 4,6 përqind.