Një organizatë nga Maqedonia e Veriut është përfshirë në listën e organizatave që Gjykata Penale e Egjiptit në Kajro i ka shpallur terroriste. Vendimi, i publikuar dje në Gazetën Zyrtare të Egjiptit, përfshin gjithsej 35 organizata dhe 36 persona nga disa shtete evropiane, të cilët do të përfshihen në regjistrat kombëtarë të organizatave dhe personave terroristë për një periudhë pesëvjeçare, transmeton Portalb.mk.
Në mesin e organizatave të përfshira në vendim ka shoqata dhe institucione nga Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Zvicra, Suedia, Italia dhe vende të tjera evropiane.
Në listë ndodhet edhe një organizatë nga Maqedonia, e shënuar me emrin arab “Tadzhama al-Shabab al-Islami”, që në përkthim do të thotë “Shoqata Rinore Islame”.
Deri më tani nuk ka informacione të mjaftueshme të qasshme për publikun për të përcaktuar se për cilën organizatë të Maqedonisë bëhet fjalë. Emri në listën egjiptiane, pas përkthimit, të kujton shoqatën “Forumi Rinor Islam – Shkup“, e cila është e regjistruar në Maqedoni, por nuk ka konfirmim se bëhet fjalë për të njëjtin subjekt, shkruan portali “Religija”.
Sipas Top Channel, FRI drejtohet nga Muhamet Murtezi, i cili është Kryetar i Këshillit të Komunës së Çairit në mandatin 2025-2029, ndërsa po ashtu në zgjedhjet lokale të tetorit të vitit 2025 ka qenë pjesë e listës së këshilltarëve të VLEN për Komunën e Çairit.
Por ai, i ka cilësuar si të pavërteta raportimet se ai drejton Forumin Rinor Islam në Maqedoninë e Veriut.
“Lajmi i “zbuluar” nga Top Channel dhe i përcjellë nga media të tjera në vend dhe rajon, është absolutisht i pavërtetë. Sepse unë, Muhamet Murtezi, nuk jam dhe nuk kam qenë asnjëherë drejtues i Forumit Rinor Islam. Konsideroj se shpifja e bërë nga Top Channel ka konotacion politik, për shkak se përmend VLEN-in, subjekt të cilit unë i përkas dhe citon solidarizimin tim me protestat e studentëve në Shqipëri”, tha Murtezi për TV21.
Ndër organizatat e tjera të përfshira në vendimin gjyqësor janë Këshilli i Myslimanëve në Evropë, Asociacioni Islamik në Britaninë e Madhe, Liga e Myslimanëve në Zvicër, Bashkësia Islame në Gjermani, Këshilli Evropian për Fetva dhe Hulumtime, Këshilli Evropian i Imamëve dhe Instituti Evropian për Shkenca Humane.
Në informacionet e publikuara deri më tani nuk ka ndonjë arsyetim të veçantë për organizatën nga Maqedonia, ndërsa nuk janë paraqitur as prova konkrete për lidhjen e saj të pretenduar me aktivitete terroriste. Po ashtu, nuk janë publikuar detaje për arsyet e përfshirjes së saj në këtë listë.
Në lidhje me zhvillimet e fundit, ka reaguar edhe Forumi Rinor Islam (FRI), duke e quajtur Egjiptin si një vend me deficit demokratik.
“Hedhim poshtë kategorikisht çdo akuzë dhe ndërlidhje të pabazuar e të pretenduar ndaj organizatës sonë. Theksojmë se përmendja në dokumente të institucioneve të huaja nuk përbën dëshmi juridike se bëhet fjalë për një organizatë që pretendohet nga një vendim i tillë i pa bazë. Një identifikim i tillë kërkon dokumentacion zyrtar dhe verifikim të saktë të identitetit juridik të organizatës”, raportoi Forumi Rinor Islam.
KËTU mund të gjeni reagimin e plotë nga FRI-ja, ndërsa pasdite ka reaguar edhe Muhamed Murtezi, duke i quajtur gënjeshtra akuzat se ka qenë ndonjëherë kryetar i FRI-së.