Rastet e fundit të femicidit kanë shqetësuar edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shkup, të cilët kanë reaguar sot në lidhje me trendin alarmues të femicidit dhe rasteve të dhunës ndaj grave, transmeton Portalb.mk.
“Pas rastit të fundit të femicidit në Maqedoninë e Veriut, Delegacioni i BE-së shpreh shqetësim serioz për trendin alarmues – shtatë raste të femicidit të raportuara vetëm këtë vit”, deklaruan nga Delegacioni i BE-së.
Ata kërkojnë nga gjithë faktorët të trajtojnë këtë çështje seriozisht me qëllim parandalimin e femicidit, duke kërkuar edhe mbështetje institucione për viktimat e dhunës në familje.
“Raporti i Komisionit Evropian për Vendin për vitin 2026 nënvizon se mangësitë në raportimin, hetimin dhe ndjekjen penale flasin për nevojën për zbatim më të fortë, financim të qëndrueshëm, kapacitete më të mira institucionale dhe masa efektive mbrojtëse”, deklaruan nga Delegacioni, duke vlerësuar se legjislacioni i RMV-së akoma nuk është në përputhje me Direktivat e BE-së në lidhje me këtë problem.
Ndryshe, Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi, Platforma për Barazi Gjinore dhe Rrjeti Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje kërkojnë moratorium për ceremonitë, konferencat dhe fushatat simbolike në kuadër të fushatës “16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. Organizatat thonë se kërkesa vjen pas shtatë rasteve të femicidit, përfshirë vrasjen e fundit të një vajze 17-vjeçare. Sipas tyre, situata është alarmante, pasi disa nga viktimat kishin raportuar më parë dhunën dhe kishin kërkuar ndihmë nga institucionet, por nuk arritën të mbroheshin.
Kujtojmë se më 8 nëntor u mbajt marsh protestues kundër femicidit, organizuar nga iniciativa joformale “Asnjë më shumë!”.
Protestuesit kanë kërkuar miratimin urgjent të ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje. Organizatorët kërkojnë gjithashtu rikthimin e termit “gjini” në ligje, udhëzime dhe programe, prej të cilave, sipas tyre, është hequr.
Thirrja përfshin edhe shkarkimin e bartësve të funksioneve publike dhe drejtuese që e justifikojnë ose e normalizojnë dhunën ndaj grave. Nga iniciativa theksojnë se vrasjet e grave nuk duhet të trajtohen si tragjedi të izoluara apo të justifikohen me marrëdhëniet mes partnerëve.