Ndryshime në Kodin Zgjedhor: Votim elektronik për diasporën dhe ndalimi i promovimit të partive në profilet zyrtare?

Ndryshimet e shumëpritura në Kodin Zgjedhor, të cilat janë pjesë e Agjendës së Reformave të BE-së dhe për të cilat partitë politike nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje për një kohë të gjatë, pritet që sot të hyjnë në procedurë parlamentare, por pa mbështetjen e opozitës, Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë (LSDM), transmeton Portalb.mk.

Sipas TV 24, e cila pretendon se ka siguruar kopje të dokumentit, propozim-ndryshimet parashikojnë që në përfaqësitë diplomatike-konsullore të votohet në mënyrë elektronike, për listat e pavarura të nevojiten nënshkrime nga 0,8 përqind e votuesve të regjistruar, funksionarët të mos mund të promovohen përmes profileve zyrtare në rrjetet sociale dhe partitë më të vogla që kanë grup parlamentar të mund të marrin mjete nga buxheti për reklamim politik.

Ndryshimet e propozuara duhet të mbyllin një pjesë të zbrazëtirave ligjore, të rrisin efikasitetin e procesit zgjedhor dhe të sigurojnë zgjedhje më transparente. Deri më tani, ideja për një njësi të vetme zgjedhore nuk është pjesë e zgjidhjeve të propozuara ligjore.

LSDM vendosi të mos marrë pjesë në punën e Grupit të Punës pasi kryeministri dhe partitë në pushtet paralajmëruan se do ta shfuqizojnë Qeverinë e Përzhinës, e cila parashikon që 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare kontrollin mbi resorët kyç ta marrë opozita. Qeveria e Përzhinës u vendos në vitin 2016 gjatë regjimit të Nikolla Gruevskit të arratisur.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme në Kodin Zgjedhor, sipas TV 24, ka të bëjë me votimin e qytetarëve që ndodhen përkohësisht në punë ose qëndrim jashtë vendit. Me zgjidhjen e propozuar, votimi në përfaqësitë diplomatike-konsullore do të zëvendësohej me votim elektronik nga jashtë vendit.

Në nenin e propozuar thuhet se “votimi elektronik nga jashtë vendit” është mënyra e ushtrimit të së drejtës së votës në zgjedhjet për President të Republikës dhe për deputetë në Kuvend, përmes një sistemi të sigurt elektronik të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, nga votuesit që ndodhen përkohësisht në punë ose qëndrim jashtë vendit dhe që paraprakisht janë regjistruar për një mënyrë të tillë votimi.

Në këtë mënyrë, qindra mijëra mërgimtarë nga vendi, të cilët nuk janë regjistruar si të shpërngulur dhe ende figurojnë si rezidentë në Maqedoni, do të mund të votojnë elektronikisht dhe të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve.

Propozim-ndryshimet gjithashtu parashikojnë një prag të ri për listat e pavarura të deputetëve. Sipas dokumentit, për to do të nevojiteshin nënshkrime nga të paktën 0,8 për ind e votuesve të regjistruar.

Kjo çështje ishte kontroverse në zgjedhjet e fundit lokale, kur Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi pragun e mëparshëm, i cili parashikonte që 1 përqind e votuesve të regjistruar në listën zgjedhore të nënshkruanin te noteri në mënyrë që një kandidat i pavarur të mund të kandidonte.

Më pas, kryetari i KSHZ-së nga radhët e opozitës, Boris Kondarko, bëri të ditur se KSHZ kishte vendosur t’u lejonte kandidatëve të pavarur të kandidonin vetëm me dy nënshkrime. Kjo rezultoi me një rritje të madhe të numrit të kandidatëve të pavarur, të cilët megjithatë nuk fituan një numër të konsiderueshëm votash.

Me ndryshimet propozohet edhe një shpërndarje e re e mjeteve për reklamim politik me pagesë. Sipas informacioneve të publikuara, nga 42 përqind e mjeteve do të mund t’i shfrytëzonin partitë më të mëdha politike të pushtetit dhe opozitës, sipas numrit të deputetëve në Kuvend.

Tetë përqind do të ishin të destinuara për partitë me grup parlamentar, pesë përqind për partitë pa grup parlamentar, ndërsa tre përqind për partitë jashtëparlamentare dhe kandidatët e pavarur.

Me zgjidhjen e mëparshme nuk ishin paraparë mjete për partitë që kanë grup parlamentar, por megjithatë nuk janë ndër katër partitë më të mëdha (dy nga blloku maqedonas dhe dy nga blloku shqiptar).

Në këtë mënyrë, parti të caktuara politike si Levica dhe ZNAM nuk kishin mundësi të merrnin mjete të drejtpërdrejta për fushatën zgjedhore. Partneri i koalicionit i ZNAM-it, VMRO-DPMNE, e mbuloi fushatën e tyre, ndërsa Levica mbeti pa mjete shtetërore dhe zhvilloi fushatën zgjedhore me mjetet e veta, vetëm në rrjetet sociale.

Propozimi parashikon gjithashtu kufizime për financimin e fushatave. Një person fizik do të mund të dhuronte më së shumti 6.000 euro, ndërsa një person juridik më së shumti 50.000 euro. Nëse donacioni është më i lartë se shuma e lejuar, diferenca midis shumës së lejuar dhe asaj të dhuruar do të transferohej në Buxhet.

Risi ka edhe në pjesën e përdorimit të rrjeteve sociale nga funksionarët. Gjatë fushatës zgjedhore, bartësit e funksioneve në organet shtetërore, komunat, Qytetin e Shkupit, institucionet dhe organizatat shtetërore, si dhe në personat juridikë dhe subjektet e tjera të cilave me ligj u janë besuar kompetenca publike, nuk do të lejohen të përdorin profilet institucionale apo profilet e tyre zyrtare në rrjetet sociale për mbështetje, promovim ose diskreditim të pjesëmarrësve në zgjedhje.

Me këtë dispozitë, funksionarët do të pengoheshin që përmes kanaleve zyrtare të reklamojnë, promovojnë ose sulmojnë kandidatët dhe kundërshtarët politikë gjatë fushatës zgjedhore.

Propozim-ndryshimet pritet të hyjnë së pari në Kuvend, ku do të hapet debati politik për përmbajtjen e tyre dhe për mënyrën se si do të ndryshohen rregullat zgjedhore.

Përndryshe, Kodi Zgjedhor është një nga reformat e parapara me Agjendën e Reformave që Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet ta përmbushë deri në fund të qershorit, përkatësisht edhe dy ditë. Kodi është një nga 10 reformat që ndodhen në të ashtuquajturën “grejs periudhë”, një afat shtesë deri në 12 muajsh, që përfundon në fund të muajit.

Kodi ZgjedhorLidhja Social Demokrate (LSDM)Parlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së Veriut