Një rast i ri i vdekjes nga ethet e Nilit Perëndimor është regjistruar në vend. Bëhet fjalë për një paciente 66-vjeçare nga Rosomani, te e cila ishte konfirmuar një formë e rëndë e etheve të Nilit Perëndimor, me përfshirje të sistemit nervor qendror, transmeton Portalb.mk.
Drejtori i Klinikës Infektive në Shkup, Fadil Cana, informoi se pacientja vuante nga shumë sëmundje të tjera kronike, se ecuria klinike ishte shumë e rëndë dhe se sëmundja përfundoi me vdekje.
Me këtë rast, numri i viktimave nga ethet e Nilit Perëndimor në vend është rritur në 11.
“Në Klinikë është shtruar edhe një paciente tjetër me formë të rëndë të etheve të Nilit Perëndimor, e cila prej një kohe të gjatë qëndron në repartin e kujdesit intensiv dhe është nën ventilim mekanik. Ajo ndodhet në Klinikë prej gati një muaji”, deklaroi drejtori i Klinikës Infektive.
Cana thotë se është mirë që nga 25 shtatori nuk ka pasur shtrime të reja në spital për shkak të etheve të Nilit Perëndimor.
Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.
Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat.
Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.