Me flakadanë dhe bomba tymuese, dhjetëra qytetarë mbrëmë në Çair të Shkupit e përshëndetën ish-zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi, i cili është i akuzuari i dytë në rastin “Lotaria Shtetërore” dhe që doli nga arresti shtëpiak pasi masa iu hoq në bazë të ligjit. Derisa Grubi ecte në rrugë i shoqëruar nga miq dhe simpatizues, mund të dëgjoheshin shpërthime fishekzjarrësh. Nga videot e publikuara në rrjetet sociale shihej se pas shëtitjes nëpër rrugët e Çairit, Grubi u ul në një restorant së bashku me dhjetëra qytetarë, transmeton Portalb.mk.
Lidhur me këtë zhvillim, mbrojtja e Artan Grubit sot ka lëshuar një komunikatë për publikun, përmes së cilës distancohet nga, siç thuhet, tubimi spontan dhe i organizuar me iniciativë të vetë qytetarëve, fqinjëve dhe miqve, i mbajtur mbrëmë para shtëpisë së tij me rastin e heqjes së masës së arrestit shtëpiak.
Ekipi i avokatëve thekson se tubimi zgjati disa minuta, pa fjalime, mesazhe apo simbole politike, ndërsa u kërkoi falje të gjithë atyre që mund të jenë shqetësuar nga ngjarja.
“Në emër të të mbrojturit tonë, u kërkojmë falje të gjithë qytetarëve që mund të jenë shqetësuar mbrëmë nga ngjarja spontane që zgjati disa minuta dhe që mund të krijojë një përshtypje të gabuar në opinion. Artan Grubi nuk mori pjesë në organizimin e saj dhe tubimi nuk përfaqëson as qëndrimin e tij politik dhe as ndonjë iniciativë të tij. Çdo shprehje e mbështetjes është zgjedhje personale e qytetarëve dhe nuk duhet të ndërlidhet me mbrojtjen”, thuhet në komunikatë.
Në komunikatë theksohet se heqja e masës së arrestit është vendim i organeve kompetente, në kuadër të procedurave ligjore, dhe se çdo vendimmarrje e organeve kompetente duhet të respektohet pa presione politike, interpretime personale dhe presion publik.
“Fokusi ynë mbetet ekskluzivisht te aspektet juridike të lëndës, mbrojtja e të drejtave të Artan Grubit dhe sigurimi i një procedure të ligjshme dhe të drejtë”, theksojnë mbrojtësit e Grubit, Vladimir Donevski dhe Goce Ristevski.
Grubi doli mbrëmë nga arresti shtëpiak, pasi skadoi afati maksimal ligjor për këtë masë. Sipas njoftimit të gjykatës, në përputhje me nenin 470 të Ligjit për Procedurë Penale (LPP), masa e paraburgimit, përkatësisht e arrestit shtëpiak, pas paraqitjes së propozim-aktakuzës nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë. Duke pasur parasysh se propozim-aktakuza ishte paraqitur më 13 gusht 2026, Këshilli Penal mori vendim për heqjen e masës për shkak të skadimit të afatit ligjor.
Nga Gjykata Themelore Penale në Shkup njoftuan se ndaj tij janë caktuar masa kujdesi, përkatësisht ndalimi i largimit nga vendbanimi ose vendqëndrimi, detyrimi për t’u paraqitur periodikisht në gjykatë, si dhe ndalimi i afrimit dhe i vendosjes së kontakteve me persona të caktuar.
Gjykata njoftoi gjithashtu se Grubi vazhdon të jetë pa pasaportë dhe se mbetet në fuqi ndalimi për lëshimin e një pasaporte të re ose të një dokumenti tjetër për kalimin e kufirit shtetëror. Kjo masë mbetet në fuqi pasi Këshilli Penal shqyrtoi kërkesën e mbrojtjes për heqjen e saj, me garanci të ofruar, por pas marrjes së mendimit negativ nga prokuroria publike kompetente, vendosi ta refuzojë kërkesën e mbrojtjes.