Ndërroi jetë edhe një pacient nga ethet e Nilit Perëndimor në RMV, shtatë të shtruar në Klinikën Infektive

Një pacient 70-vjeçar nga komuna Aerodrom e Shkupit ndërroi jetë gjatë fundjavës në Klinikën për Sëmundje Infektive nga komplikimet e shkaktuara nga ethet e Nilit Perëndimor, informoi sot drejtori i institucionit, Fadil Cana. Pacienti, i cili kishte disa sëmundje të tjera, ishte i shtruar për 57 ditë në Repartin e Kujdesit Intensiv, transmeton Portalb.mk.

Sipas Canës, në Klinikën Infektive aktualisht po trajtohen shtatë pacientë të infektuar me virusin, prej të cilëve dy kanë pasqyrë më të rëndë klinike dhe janë transferuar në kujdesin intensiv.

“Bëhet fjalë për pacientë të rinj, gjendja klinike e të cilëve është përkeqësuar dhe janë transferuar në Repartin e Kujdesit Intensiv. Njëri prej pacientëve është ndër të shtruarit e fundit dhe që nga pranimi ka pasur pasqyrë më të rëndë klinike”, tha Cana.

Shumica e pacientëve të shtruar janë persona të rritur me sëmundje kronike, kryesisht nga Shkupi, ndërsa një pacient është nga Rosomani. Rasti i fundit i ri është pranuar më 25 shtator.

Cana theksoi se shkalla e vdekshmërisë në vend është brenda mesatares botërore dhe është e krahasueshme me atë të vendeve të rajonit, si Greqia dhe Italia. Ai u bëri thirrje qytetarëve që t’i respektojnë rekomandimet për mbrojtje të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik.

Sipas të dhënave, deri më tani në Klinikën Infektive janë regjistruar gjithsej 67 pacientë me formën neuroinvazive të etheve të Nilit Perëndimor. Prej tyre, 50 janë shëruar, 10 kanë ndërruar jetë, ndërsa shtatë aktualisht janë në këtë institucion shëndetësor publik.

Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.

Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat.

Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.

Ethet e Nilit PerëndimorKomisioni për Sëmundje Infektive RMV