Ministria e Shëndetësisë informon qytetarët e interesuar nga grupet e rrezikuara se mund të aplikojnë për vaksinim falas kundër gripit sezonal në ueb faqen e cila deri tani ishte jonfuksionale, transmeton Portalb.mk.
Linku për aplikim: https://vakcinacija.mk/mk/registration-flu
“Duke plotësuar formularin në ueb-faqe, qytetarët regjistrohen për vaksinim drejtpërdrejt në sistemin Moj Termin. Më pas, në përputhje me orarin e paraparë në planin e vaksinimit, do të marrin një mesazh SMS me informacion për datën dhe orën e saktë kur duhet të vaksinohen në pikën e vaksinimit që do të zgjedhin gjatë regjistrimit”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Vaksinimi falas kundër gripit sezonal është i dedikuar për grupet e mëposhtme të rrezikuara: personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna, si dhe fëmijët e moshës nga 6 muaj deri në 5 vjeç.
Vaksinimi kundër gripit sezonal është masa më efektive për parandalimin e gripit, pasi parandalon shfaqjen e formave më të rënda të sëmundjes, komplikimeve dhe përfundimit me vdekje, veçanërisht te grupet e rrezikuara.
Qytetarët deri dje nuk mund të aplikonin për vaksinim falas kundër gripit sezonal përmes platformës vakcinacija.mk. Në faqen e internetit shfaqej njoftimi “Aplikimi për vaksinimin kundër gripit sezonal ka përfunduar”, pa mundësi për të paraqitur aplikime të reja. Dje, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se aplikimi duhet të bëhet përmes sistemit “Termini Im”, por aplikimi elektronik përmes platformës aktualisht është i pamundur.