U rrit numri i veturave në Maqedoninë e Veriut, kush dominon – dizeli apo benzina?

Gjatë pesë viteve të fundit, numri i automjeteve të pasagjerëve në Maqedoninë e Veriut është rritur për mbi 40 përqind, nga 429 mijë në vitin 2020 në mbi 615 mijë në vitin 2025, raporton Portalb.mk.

Nëpër rrugët e vendit vazhdojnë të dominojnë automjetet me dizel ndërsa makinat me benzinë janë në rënie.

Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se automjetet me dizel përbëjnë 63,8 përqind të parkut të përgjithshëm dhe gjatë pesë viteve numri i tyre është rritur për 67 përqind.

Nga ana tjetër, automjetet me benzinë kanë rënë me rreth 13 përqind, duke ulur pjesëmarrjen nga 42 përqind në vitin 2020 në 25,7 për qind në vitin 2025.

Makinat elektrike janë rritur 30-fish gjatë dhjetë viteve, por në vitin 2025 përbënin vetëm 0,33 përqind të të gjitha automjeteve, me gjithsej 2.047 makina elektrike.

Edhe makinat hibride kanë shënuar rritje të madhe. Numri i tyre është rritur nga 1.287 në vitin 2023, në 5.078 në vitin 2024 dhe 7.393 në vitin 2025, duke arritur rreth 1,2 përqind të parkut të automjeteve.

Mbi 80 për qind e makinave të importuara gjatë dekadës së fundit kanë qenë të përdorura.

Numri i automjeteve të regjistruara është rritur për 60 përqind në dhjetë vjet, nga 383 mijë në vitin 2015 në 615 mijë në vitin 2025. Megjithatë, mosha mesatare e automjeteve mbetet e lartë apo 19,3 vjet.

Enti Shtetëror i Statistikave RMV (ESHS)Vetura - Automjet - AutomobilVetura elektrike