Liqeni i Treskës ende pa zgjidhje, Ministria thotë se s’ka kompetenca, Qeveria nuk tregon kur do të miratohet ligji i ri

Revitalizimi i Liqenit të Treskës, i premtuar ndër vite, ende nuk ka nisur. Pas ngecjes së procedurës për zhvillimin e zonës turistike “Saraj-Liqeni i Treskës” dhe shuarjes së Agjencisë për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit, Ministria e Kulturës dhe Turizmit thotë se kompetencat për këtë zonë nuk i janë bartur asaj. Pas gati dy muajsh pritje, Ministria i tha Portalb.mk se Qeveria ka formuar grup pune për përgatitjen e një ligji të ri për zonat zhvillimore turistike. Megjithatë, zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, nuk ka informacione se deri ku ka arritur përgatitja e ligjit dhe kur pritet të miratohet. Ajo shpreson që në të të përfshihet edhe Liqeni i Treskës, por nuk e konfirmon këtë, shkruan Portalb.mk.

Qeveria e shpalli zonën “Saraj-Liqeni i Treskës” zonë zhvillimore turistike në vitin 2021, ndërsa në vitin 2023 bëri ndryshime në vendimin për themelimin e saj. Megjithatë, procedura nuk çoi në realizimin e projektit.

Në raportin e publikuar në qershor të vitit 2025, Enti Shtetëror i Revizionit evidentoi pengesa ligjore dhe administrative në procesin e zhvillimit të zonës turistike. Në raport thuhet gjithashtu se Qeveria nuk kishte dhënë udhëzime të mëtejshme për vazhdimin e procedurës.

Paqartësitë rreth përgjegjësisë institucionale vazhduan edhe pas shuarjes së Agjencisë për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit. Me ndryshimet ligjore të miratuara në korrik të vitit 2025, Agjencia pushoi së funksionuari si institucion i pavarur, ndërsa në atë kohë u njoftua se rreth 30 të punësuar do të transferoheshin në Ministrinë e Kulturës.

Pas gati dy muajsh pritje për përgjigje, Ministria e Kulturës dhe Turizmit i tha Portalb.mk se kompetencat për zonën turistike “Saraj-Liqeni i Treskës” nuk i janë bartur këtij institucioni.

Nga Ministria thonë se Ligji për zonat zhvillimore turistike është në fuqi dhe se Qeveria ka formuar grup pune për përgatitjen e një ligji të ri. Megjithatë, Ministria nuk mund të konfirmojë nëse vendimi për themelimin e zonës turistike dhe ndryshimet e vitit 2023 vazhdojnë të jenë në fuqi.

“Pas miratimit të tij do të jetë e nevojshme të përcaktohet nëse vendimi ekzistues duhet të harmonizohet me ligjin e ri, përfshirë edhe pjesën që lidhet me zbatimin e tij në praktikë”, thonë nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.

Sa u përket aktiviteteve konkrete për realizimin e projektit “Treska” nga viti 2021 e deri më sot, Ministria thotë se nuk ka informacione shtesë, përveç përgatitjes së ligjit të ri për zonat zhvillimore turistike.

Miteva nuk tregon kur do të miratohet ligji i ri

Portalb.mk e pyeti Qeverinë nëse zona “Saraj-Liqeni i Treskës” do të përfshihet në ligjin e ri dhe kur pritet të përfundojë përgatitja e tij. Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, tha se shpreson që liqeni të përfshihet në ligj, por nuk e konfirmoi këtë.

“Shpresoj që, pas një ngecjeje shumëdekadëshe lidhur me këtë temë, edhe liqeni të përfshihet në këtë ligj”, tha Miteva.

Ajo shtoi se për momentin nuk ka informacione më të hollësishme për ecurinë e procedurës dhe afatin e miratimit të ligjit.

“Pres që në periudhën e ardhshme të kemi informacione më të hollësishme se deri ku ka arritur procedura dhe për sa kohë pritet të përfundojë ligji”, theksoi Miteva.

Përgatitjen e ligjit të ri e konfirmoi edhe ish-ministri i Kulturës dhe Koordinatori Nacional për Kulturë në Qeveri, Zoran Lutkov. Në një deklaratë të shkurtër për Portalb.mk, ai tha se përgatitja e ligjit për zonat zhvillimore turistike i ishte besuar Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë.

Portalb.mk pyeti edhe Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë se cilat grupe punuese janë angazhuar për hartimin e ligjit dhe deri ku ka arritur procedura. Megjithatë, deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk morëm përgjigje.

Kujtojmë se ndër vite, revitalizimi i Liqenit Treska është premtuar nga disa kryetarë të Komunës së Sarajit, ndërsa gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2025, premtime për ringjalljen e tij dhanë edhe VMRO-DPMNE dhe VLEN. Kryetari aktual i Sarajit, Muhamet Elmazi, paralajmëroi se brenda gjashtë muajve nga marrja e mandatit do të qartësohej se çfarë duhej të ndërmerrej për zhvillimin e liqenit. Ai gjithashtu bëri të ditur se biznesmeni shqiptar Samir Mane kishte shprehur interesim për të investuar në këtë kompleks, por nga kompania e tij, “Balfin Group”, për Portalb.mk thanë se ende nuk ka asgjë konkrete. Deri më tani, pavarësisht premtimeve dhe paralajmërimeve për investime, në terren nuk ka pasur hapa konkretë për revitalizimin e Liqenit Treska.

Premtimet ndër vite për Liqenin e Treskës

Liqeni i Treskës u ndërtua në vitin 1978 me vetëkontributin e banorëve të Shkupit. Me një sipërfaqe prej 136.000 metra katrorë dhe kapacitet për rreth 10.000 vizitorë, në vitet 1980 dhe 1990 ai funksiononte kryesisht si vend për piknik për banorët e Shkupit, veçanërisht gjatë muajve të verës. Rreth liqenit, i cili kishte thellësi prej 1,6 deri në 3 metra, kishte shtëpi druri, kafene, restorante, pishina, zhveshtore, tualete, fusha sportive, si dhe kamp për rimorkio.

Liqeni i Treskës ishte në funksion vetëm 20 vjet. Në vitin 1998, për shkak të ndotjes së ujit, ai u mbyll për not dhe që nga ajo kohë filloi edhe shkatërrimi gradual i tij. Pas viteve 2000, zona mbeti kryesisht e braktisur. Objektet përreth filluan të dëmtohen dhe liqeni humbi funksionin e tij.

Infografik: Portalb.mk

Deri në vitin 2013, Liqeni i Treskës ishte nën kompetencat e Qytetit të Shkupit. Në vitin 2013, shteti ia kaloi kompetencat Komunës së Sarajit. Që atëherë, kryetarët e kësaj komune kanë premtuar disa herë se liqeni do të rikthehej në funksion dhe do ta merrte sërish pamjen e dikurshme, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur.

Në janar të vitit 2021, Komuna e Sarajit filloi rrënimin e objekteve dhe përmbajtjeve përreth liqenit. Në atë kohë, ish-kryetari i Sarajit, Blerim Bexheti, prezantoi edhe planin urbanistik për revitalizimin e hapësirës. Plani parashihte një qendër rekreative-sportive, pishina, aquapark, hapësira për argëtim, shtëpiza, hotele dhe përmbajtje të tjera turistike. Në të njëjtën periudhë u krijua edhe një komision ndërinstitucional për përgatitjen e dokumentacionit për tokën ndërtimore, me qëllim që të krijoheshin kushtet për shpalljen e thirrjes publike për investitorë ndërkombëtarë.

Gjatë viteve 2021–2023, edhe pse komisioni zhvilloi disa mbledhje, procesi nuk arriti deri te faza e shpalljes publike. Institucionet filluan të fajësonin njëra-tjetrën për zvarritjen e procedurave. Komuna e Sarajit akuzonte Ministrinë e Ekonomisë dhe Agjencinë për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit për ngadalësi dhe kërkonte që çështja të shqyrtohej çdo muaj në Qeveri. Nga ana tjetër, Agjencia theksonte se të gjitha aktivitetet e mëtejshme vareshin nga dinamika e punës së vetë komisionit të kryesuar nga komuna.

Në gusht të vitit 2021 pati edhe akuza politike lidhur me mënyrën e tjetërsimit të parcelave ndërtimore përreth liqenit. Opozita pretendonte se toka ishte shitur nën vlerën e tregut dhe se buxhetit i ishte shkaktuar dëm financiar.

Në vitin 2025, kishim zgjedhjet lokale dhe premtime të reja për ringjalljen e kësaj zone. Në korrik ndodhi riorganizimi qeveritar dhe bartja e kompetencave nga Agjencia për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit te Ministria e Kulturës. Si pasojë, çështja e menaxhimit dhe strategjisë për Liqenin e Treskës i kaloi kësaj ministrie të re.

Në vitin 2026, një vit pas ndryshimit të kompetencave, në terren ende nuk ka asnjë hap konkret për rikthimin e Liqenit të Treskës.

Liqeni TreskësMinistria e Kulturës dhe Turizmit (MKT)Qeveria e Maqedonisë së VeriutTreskaVideo Lajme