Inteligjenca artificiale duhet të jetë asistent për organizatat e shoqërisë civile dhe të dhënat që i ofron duhet të verifikohen dhe të mbikëqyren dhe nuk duhet të përjetohet si diçka që duhet t’i besohet verbërisht. Është ky një nga përfundimet e ditës së dytë të konferencës së përbashkët ndërkombëtare “MEGAPHONE & e-Society 2026”, e cila u mbajt në Shkup me moton “We Hold the Line”, e organizuar nga Fondacioni “Metamorfozis” dhe TechSoup, në partneritet me CIVICUS, si pjesë e Nismës për Demokraci Digjitale (DDI). Në konferencë marrin pjesë mbi njëqind përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor, Rajoni i Detit të Zi, Kaukazi dhe Azia Qendrore, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.
Njerëzit që punojnë në sektorin e shoqërisë civile duhet të jenë në hap me kohën dhe t’i shfrytëzojnë mundësitë e IA, por kjo nuk do të thotë se duhet të mësojnë dhe të dinë gjithçka për to. Ata janë ekspertë që punojnë në zgjidhjen e problemeve lokale të komuniteteve të tyre, ndërsa teknologjia është mjeti i tyre ndihmës.
“Ekspertiza e njerëzve të organizatave që i njohin problemet lokale duhet të jetë korrigjuesi i inteligjencës artificiale”, thotë Edafe Onerhime, eksperte për të dhëna të hapura dhe IA.
Ajo thekson se teknologjia duhet të jetë e përdorshme për organizatat e shoqërisë civile, të cilat duhet të kujdesen që ajo të mos u shkaktojë dëm në punën e tyre. Onerhime thotë se mendimet që inteligjenca artificiale është mjet tepër teknik apo tepër i shtrenjtë janë mite.
“Njerëzit janë ekspertët për çështjet në të cilat punojnë organizatat e shoqërisë civile, ndërsa teknologjia është mjet ndihmës dhe gjithmonë duhet të ketë korrigjues të të dhënave të përgjithshme gjenerike që i ofron IA. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se njerëzit duhet të dinë gjithçka dhe të jenë të mirë në gjithçka”, tha Onerhime.
Maria Makovska nga TechSoup foli për bazat e inteligjencës artificiale për organizatat e shoqërisë civile dhe theksoi se në epokën e teknologjisë mjetet e IA-së janë të domosdoshme për organizatat, por nuk duhet të synojmë t’i njohim dhe t’i përdorim të gjitha. Në sesionin e saj me një pjesë të pjesëmarrësve Makovska foli për kufizimet, rreziqet dhe çështjet etike që vijnë me mjetet e inteligjencës artificiale.
“IA është mjet shumë i dobishëm që mund të na sjellë përmbajtje për një sekondë, por gjithmonë duhet të kemi kujdes nëse ajo përmbajtje është e vërtetë dhe të mos lejojmë që të biem në grackën e saj”, tha Makovska.
Ajo i këshilloi përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile që sa herë që përdorin ndihmë nga IA, asnjëherë mos e besojnë rezultatin e parë dhe më të shpejtë, si dhe gjithmonë të kërkojnë burime, linqe dhe citime me të cilat konfirmohet një pretendim i caktuar, gjë që edhe një herë e thekson rëndësinë e dijenisë njerëzore. Inteligjenca artificiale nuk duhet të marrë vendime në vend të njerëzve, sepse ajo është partneri jonë, e jo zëvendësim. Makovska theksoi se organizatat duhet të bëjnë kujdes gjatë përdorimit të të dhënave personale të bashkëpunëtorëve dhe klientëve, të cilat asnjëherë nuk duhet të ndahen me inteligjencën artificiale. Ajo theksoi se udhëzimet që ia japim asistentëve të IA-së duhet të jenë gjithmonë të qarta — se cilat dhe çfarë lloj të dhënash na nevojiten — si dhe rekomandohet të kërkohet humanizim i përgjigjeve.
“Kohët e fundit njerëzit janë bërë të ndjeshëm ndaj mesazheve ose email-eve të përgjithshme gjenerike dhe i njohin ato menjëherë, prandaj është mirë që njerëzit e organizatave t’i verifikojnë përmbajtjet e shkruara nga IA dhe t’u shtojnë atyre vulë personale”, tha Makovska.