Rritja e numrit të fëmijëve viktima, shtimi i rasteve të paraburgimit, mungesa e kushteve të përshtatshme për biseda me të miturit në polici dhe zbatimi i dobët i drejtësisë restauruese janë disa nga problemet kryesore të evidentuara në Raportin vjetor për vitin 2025 të Këshillit Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve dhe Drejtësinë për Fëmijët. Raporti evidenton gjithashtu mangësi në ndihmën juridike, funksionimin e këshillave komunalë dhe koordinimin institucional, raporton Portalb.mk.
Sipas raportit, numri i fëmijëve viktima të evidentuar në gjykata është rritur për 118 përqind krahasuar me vitin 2024. Ministria e Punëve të Brendshme gjatë vitit 2025 ka evidentuar 694 fëmijë viktima, prokuroritë publike 629, gjykatat 404, ndërsa qendrat për punë sociale 334. Bëhet fjalë për të dhëna nga evidenca të ndryshme institucionale, të cilat nuk duhet të mblidhen sikur të përfaqësojnë një numër të vetëm të fëmijëve të ndryshëm.
“Në vitin 2025, 404 fëmijë viktima të krimit u regjistruan në gjykatat themelore me juridiksion të zgjeruar në Republikën e Maqedonisë, që përfaqësojnë 112 fëmijë për 100,000 banorë. Nga këta, 65% janë meshkuj dhe 35% janë femra”, thuhet në raport.
Në të njëjtën kohë, numri i fëmijëve që kanë kryer kundërvajtje është rritur për 54 përqind krahasuar me vitin paraprak, megjithëse është për 31 përqind më i ulët se niveli i regjistruar në vitin 2023. Në stacionet policore janë thirrur 1.201 fëmijë, përkatësisht 45 më pak se në vitin 2024, kur ishin thirrur 1.246 fëmijë.
“Numri i përgjithshëm i fëmijëve që kanë kryer një kundërvajtje në vitin 2025 është 650 (180 për 100,000 fëmijë). Kjo shifër është 54% më e lartë se në vitin 2024, kur ishte 423 fëmijë, dhe 31% më e ulët se në vitin 2023 (926 fëmijë). Numri më i madh i kundërvajtjeve është kryer në Veles (463) dhe më i vogli në Kumanovë, 4 kundërvajtje”, thuhet në raport.
Vëmendje të veçantë tërheqin kushtet në të cilat policia zhvillon biseda me të miturit. Sipas Këshillit Shtetëror, në të gjithë territorin e vendit ekzistojnë vetëm tri dhoma të pajisura posaçërisht për biseda me fëmijët. Gjatë vitit 2025, në këto dhoma janë zhvilluar biseda me vetëm 16 fëmijë, përkatësisht 1,2 përqind të fëmijëve të thirrur. I njëjti numër është regjistruar edhe në vitin 2024, për çka Këshilli konstaton se nuk ka përparim në këtë fushë.
Problem mbetet edhe mbrojtja juridike e fëmijëve gjatë procedurave. Të drejtën për mbrojtës në polici e kanë shfrytëzuar 49 përqind e fëmijëve të thirrur. Edhe pse kjo paraqet përmirësim krahasuar me vitin 2024, kur përqindja ishte 32, më shumë se gjysma e fëmijëve të thirrur nuk janë evidentuar si përfitues të kësaj të drejte.
Edhe më e theksuar është rënia e ndihmës juridike në qendrat për punë sociale. Në vitin 2025, të drejtën për avokat e kanë shfrytëzuar vetëm 16 fëmijë, krahasuar me 73 fëmijë në vitin 2024.
Raporti tregon gjithashtu rritje të numrit të fëmijëve ndaj të cilëve është caktuar masa e paraburgimit. Në vitin 2025, kjo masë është shqiptuar ndaj 14 fëmijëve, ndërsa në vitin 2024 ndaj gjashtë dhe në vitin 2023 ndaj dhjetë fëmijëve.
Dënimi me burg për fëmijë është shqiptuar në katër raste, krahasuar me gjashtë në vitin 2024 dhe tre në vitin 2023. Masat edukative institucionale janë shqiptuar ndaj 23 fëmijëve, prej të cilëve 11 janë dërguar në institucion edukativ, ndërsa 12 në entin edukativo-korrektues. Në vitin 2024, masa të tilla janë shqiptuar ndaj 20 fëmijëve, ndërsa në vitin 2023 ndaj 12 fëmijëve.
Nga ana tjetër, Këshilli Shtetëror e veçon si gjetje pozitive faktin se në shumicën e rasteve zbatohen masa që nuk përfshijnë privimin nga liria. Në vitin 2025, masat e mbikëqyrjes së shtuar janë shqiptuar ndaj 63 përqind të fëmijëve për të cilët është shqyrtuar shqiptimi i sanksioneve, ndërsa masat disiplinore janë shqiptuar ndaj 23 përqind, më pak se në dy vitet paraprake.
Në prokuroritë publike, gjatë vitit 2025 janë paraqitur kallëzime penale ndaj 1.132 fëmijëve, ndërsa propozime për shqiptimin e sanksioneve janë paraqitur ndaj 384 fëmijëve, përkatësisht 34 për qind. Në vitin 2024, kjo përqindje ishte 26, ndërsa në vitin 2023 ishte 42 përqind.
Kërkesa për fillimin e procedurës përgatitore janë paraqitur ndaj 290 fëmijëve, prej të cilëve 272 djem dhe 18 vajza. Vendime për heqjen dorë nga ndjekja penale janë marrë për 30 fëmijë.
Një problem i veçantë, sipas raportit, është zbatimi i pamjaftueshëm i drejtësisë restauruese, përkatësisht procedurave që mundësojnë zgjidhjen e rasteve përmes ndërmjetësimit, marrëveshjeve dhe masave të tjera, në vend që ato të trajtohen vetëm përmes procedurave klasike gjyqësore.
Në vitin 2025, ndërmjetësimi ka përfunduar me sukses vetëm në një rast që përfshinte një fëmijë. Prokuroritë publike nuk kanë dërguar asnjë fëmijë në ndërmjetësim, ndërsa procedura për pranimin e përgjegjësisë dhe arritjen e marrëveshjes për lartësinë e dënimit nuk është zbatuar fare.
Masat e shmangies nga ndjekja penale në prokuroritë publike janë caktuar për 36 fëmijë, krahasuar me 67 në vitin 2024. Masa alternative janë shqiptuar ndaj shtatë fëmijëve, ndërsa një vit më parë një masë e tillë ishte shqiptuar ndaj vetëm një fëmije.
Këshilli Shtetëror paralajmëron se zbatimi i pamjaftueshëm i formave të drejtësisë restauruese dhe masave alternative të parapara me ligj është në kundërshtim me qëllimet e Ligjit për Drejtësinë për Fëmijët dhe mund të kontribuojë në viktimizimin dytësor, përkatësisht në lëndimin e mëtejshëm të fëmijëve përmes mënyrës se si institucionet trajtojnë rastet e tyre.
Të dhënat për kompensimin e fëmijëve viktima tregojnë se në vitin 2025 gjykatat kanë marrë vendime për kompensimin e shtatë fëmijëve, ndërsa 97 fëmijë janë udhëzuar që kërkesat e tyre pasurore-juridike t’i realizojnë përmes një procedure të veçantë gjyqësore. Në vitin 2024 nuk ishte marrë asnjë vendim gjyqësor për kompensimin e një fëmije viktimë.
Kujtojmë se pothuajse çdo fëmijë i tretë në Maqedoninë e Veriut është në rrezik varfërie. Sipas analizës së UNICEF-it, rreth 120,000 fëmijë jetojnë në varfëri dhe vetëm një e treta e tyre marrin përfitime për fëmijë.
Rritja e kostos së jetesës po e zvogëlon më tej vlerën e ndihmës financiare që marrin familjet.
Për të ulur varfërinë e fëmijëve, UNICEF propozon futjen e një ndihme universale për fëmijë dhe përmirësimin e formave ekzistuese të mbështetjes për fëmijët dhe familjet.