Pushteti po përpiqet ta fshehë varfërinë përmes shportave konsumatore më të lira, ndërsa punëtorët vazhdojnë të luftojnë për një pagë që do t’i mbulojë shpenzimet bazë të jetesës, vlerësoi kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Sllobodan Trendafilov, gjatë një paraqitjeje në Ditarin Qendror të MRT1. Ai kritikoi ashpër Qeverinë për refuzimin e kërkesës për pagë minimale prej 600 eurosh dhe akuzoi se përllogaritjet e reja e paraqesin realitetin më të mirë në letër sesa është në të vërtetë, transmeton Portalb.mk.
Në qendër të kritikave të tij është shporta mesatare konsumatore e Qeverisë, e cila paraqitet si më e lirë se shporta minimale sindikale. Sipas Trendafilovit, dallimi prej rreth 12.000 denarësh nuk tregon se familjet jetojnë më mirë, por se nevojat e tyre llogariten në një mënyrë që e bën më pak të dukshëm nivelin real të shpenzimeve.
Ai e lidhi këtë dallim me kërkesën sindikale për rritjen e pagave për të paktën 6.000 denarë. Në një familje me dy të punësuar, një rritje e tillë do të sillte 12.000 denarë shtesë në muaj. Në vend që këto para të hynin në buxhetin familjar, sipas vlerësimit të tij, pushteti po përpiqet t’i heqë nga përllogaritja e të ardhurave të nevojshme për jetesë.
Trendafilov kundërshtoi edhe përjashtimin e shpenzimeve për qira dhe kredi, si dhe arsyetimin se shumica e popullsisë ka banesë në pronësi. Sipas argumenteve të tij, posedimi i një banese nuk i eliminon detyrimet financiare të familjeve që paguajnë kredi banesore ose jetojnë me qira.
Shporta sindikale, theksoi ai, përcjell çdo muaj çmimet e 63 produkteve bazë. Kritika e tij është se përllogaritja duhet t’i përfshijë nevojat reale të familjes, përfshirë ushqimin bazë për fëmijët, dhe jo të krijojë një pasqyrë më të lirë përmes zvogëlimit të sasive ose përjashtimit të shpenzimeve.
Kryetari i LSM-së Trednafilov, rikujtoi se kërkesa për pagë minimale prej 600 eurosh vazhdon të mbetet e parealizuar, pavarësisht protestave dhe bllokadave. Sipas pretendimeve të tij, në aksionet e punëtorëve kanë marrë pjesë mbi 30.000 punëtorë, por presioni nuk ka rezultuar me pranimin e rritjes së kërkuar.
Në krahasimin me rajonin, Trendafilov përmendi rritjet dhe paralajmërimet për paga minimale më të larta në Serbi dhe Mal të Zi, si shembuj që dëshmojnë se vendimet politike mund ta përmirësojnë standardin e jetesës. Në Maqedoninë e Veriut, vlerësoi ai, punëtori vazhdon të jetë objekt i përplasjeve partiake, ndërsa të ardhurat e tij mbeten prapa shpenzimeve.
Ai rikujtoi edhe kërkesën sindikale për uljen e pagave të funksionarëve për 78 për qind. Me këtë kërkesë, sipas Trendafilovit, LSM-ja synon që bartësit e funksioneve publike ta ndiejnë realitetin financiar në të cilin jetojnë punëtorët, në vend që për pagën minimale të vendosin nga pozita e të ardhurave personale dukshëm më të larta.
Kritika të ashpra ai drejtoi edhe ndaj kërkesave për zvogëlimin e numrit të ditëve jopune dhe festave. Trendafilov e hodhi poshtë arsyetimin se problemi i produktivitetit duhet të zgjidhet përmes shkurtimit të kohës së lirë të punëtorëve.
Në argumentimin e tij, ai iu referua të dhënave që ia atribuoi Bankës Popullore dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Ai përmendi një fitim mesatar vjetor neto prej rreth 300.000 denarësh për punëtor dhe prodhim prej 34 dollarësh në bruto produktin vendor (BPV) për orë pune, krahasuar me 23 dollarë në krahasimin global që përmendi. Këta tregues i përdori si argument kundër pretendimeve se pagat e ulëta arsyetohen me kontributin e pamjaftueshëm të punëtorëve.
LSM-ja, porositi Trendafilov, do të kundërshtojë shkurtimin e festave shtetërore dhe fetare. Nga punëdhënësit kërkoi paga më të larta dhe pagesën e shtesave për punën jashtë orarit, ndërsa nga institucionet kërkoi përgjigje për kërkesën për pagë minimale prej 600 eurosh.
Nga ana tjetër, të dhënat e reja nga Eurostat tregojnë se Maqedonia e Veriut është në fund të listës për sa i përket pagës minimale më të lartë. Në korrik të vitit 2026 Luksemburgu kishte pagën minimale bruto më të lartë në Evropë, ndërsa Bullgaria e ka më të dobtën në Bashkimin Evropian
Ndryshe, pothuajse çdo fëmijë i tretë në Maqedoninë e Veriut është në rrezik varfërie. Sipas analizës së UNICEF-it, rreth 120,000 fëmijë jetojnë në varfëri dhe vetëm një e treta e tyre marrin përfitime për fëmijë.