Të dhënat e reja nga Eurostat tregojnë se Maqedonia e Veriut është në fund të listës për sa i përket pagës minimale më të lartë. Në korrik të vitit 2026 Luksemburgu kishte pagën minimale bruto më të lartë në Evropë, ndërsa Bullgaria e ka më të dobtën në Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.
Renditja e vendeve sipas pagës minimale ndryshon ndjeshëm kur merret parasysh fuqia reale blerëse.
Në Maqedoninë e Veriut, paga minimale neto është rreth 26.046 denarë, gjë që e vendos vendin në fund të shkallës evropiane.
Në kategorinë e mesme, me paga nga 1.000 deri në 2.000 euro, janë nëntë vende, përfshirë Kroacinë me 1.050 euro. Në këtë grup janë edhe Sllovenia (1.482 euro), Spanja (1.425 euro), Lituania (1.153 euro), Polonia (1.119 euro), Qiproja (1.088 euro), si dhe Greqia dhe Portugalia me nga 1.073 euro.
Më e ulëta është në Ukrainë (169 euro) dhe Moldavi (313 euro).
Brenda Bashkimit Evropian, Bullgaria ka pagën minimale më të ulët (620 euro), por katër vende kandidate kanë vlerë më të lartë: Turqia (621 euro), Maqedonia e Veriut (624 euro), Mali i Zi (670 euro) dhe Serbia (743 euro).
Në korrik të vitit 2026, Luksemburgu kishte pagën minimale bruto më të lartë në Evropë, me 2.771 euro. Pas tij renditen Irlanda (2.391 euro), Gjermania (2.343 euro), Holanda (2.338 euro) dhe Belgjika (2.234 euro), duke formuar grupin e pesë vendeve me pagë minimale mbi 2.000 euro. Franca është afër këtij grupi me 1.867 euro.
Kur pagat shprehen në standarde të fuqisë blerëse (PPS), të cilat matin se çfarë mund të përballojnë realisht banorët e një vendi, dallimet mes vendeve zvogëlohen dhe renditja ndryshon ndjeshëm.
Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, Maqedonia e Veriut vitin e kaluar kishte standardin më të ulët të jetesës ndër vendet evropiane.
Ndryshe, një familje me katër anëtarë në Maqedoni ka nevojë për 68.498 denarë në korrik vetëm për të mbuluar nevojat bazë mujore, sipas një llogaritjeje të re të shportës minimale sindikale të bërë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM).