Nesër në Ohër do të mbahet takimi i liderëve të Procesit Brdo-Brioni, një iniciativë rajonale themeluese të së cilës janë Sllovenia dhe Kroacia. Mikpritëse e takimit është presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, ndërsa bashkorganizatorë janë presidentja sllovene Natasha Pirc Musar dhe presidenti kroat Zoran Milanoviq, transmeton Portalb.mk.
Sipas njoftimit të Kabinetit të Presidentes, në takimin e nesërm do të marrin pjesë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryesuesja dhe anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Darijana Filipoviq, presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, si dhe pritet të marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Serbisë, Aleksandar Çupiq, i cili aktualisht ushtron detyrën e presidentit në detyrë të Serbisë.
Agjenda e takimit të nesërm parasheh pritjen zyrtare të liderëve nga ora 10:45 deri në 10:55, pas së cilës do të bëhet fotografia e përbashkët. Nga ora 11:00 deri në 12:30 do të mbahet takimi. Ndërkaq, nga ora 14:30 deri në 15:00, konferencë të përbashkët për media do të mbajnë Siljanovska-Davkova dhe presidentët Pirc Musar dhe Milanoviq.
Procesi Brdo-Brioni është një iniciativë rajonale e themeluar në vitin 2013, me qëllim të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe stabilizimit të situatës përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal.