Përplasje në Kuvend: Sela e akuzoi Gashin se ka marrëveshje me BDI-në, Gashi dhe Toska e mohuan (Video)

Në seancën për pyetje të deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, sot pati përplasje mes deputetëve të Lidhjes Shqiptare (LSH) dhe kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi. Debati u zhvillua për mënyrën e renditjes së deputetëve që parashtrojnë pyetje ndaj Qeverisë. Deputetët e LSH-së kundërshtuan renditjen, duke pretenduar se po u bëhet padrejtësi deputetëve që nuk janë të organizuar në grupe parlamentare, shkruan Portalb.mk.

Kryetari dhe deputeti i LSH-së, Ziadin Sela, akuzoi Gashin se ka marrëveshje me BDI-në për t’i lënë në hije deputetët e partive të tjera.

“Z. Gashi, nëse keni marrëveshje me BDI-në, në mënyrë që të ngelim në hije deputetë të tjerë që vijnë nga partitë e tjera, kjo është çështje e juaja. Nëse ka diçka të tillë, ne do t’jua çjerrim këtë maskë. Ne jemi deputetë që nuk jemi të organizuar në grup parlamentar. Ne jemi deputetë që nuk varemi nga asnjë forcë politike. Nuk veprojmë me sinjale nga kjo anë, siç veprojnë disa të tjerë”, tha Sela.

Duke hedhur poshtë akuzat e LSH-së për parregullsi, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, tha se renditja e deputetëve bëhet në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.

“Sa i përket renditjes së listës së deputetëve që parashtrojnë pyetje, jam i bindur se kjo është në përputhje me Rregulloren. Listën e bëj ashtu siç parashikohet me Rregullore, në bazë të raportit 2 me 1 mes opozitës dhe pozitës, si dhe madhësisë së grupeve të deputetëve që janë në opozitë”, tha Gashi.

Ndaj akuzave të Selës reagoi edhe deputetja e BDI-së, Dijana Toska. Ajo tha se BDI-ja nuk ka marrëveshje me kryetarin e Kuvendit për renditjen e deputetëve dhe se kjo çështje është përgjegjësi e tij.

“Nuk mund të na apostrofoni neve si koalicion, sidomos si BDI, se gjoja kemi ndonjë marrëveshje me kryetarin apo me subjektet politike që janë në pushtet, se bëjmë ndonjë marrëveshje për renditjen e deputetëve. Kjo është e përcaktuar me ligj dhe absolutisht nuk është përgjegjësi e ndonjë partie opozitare, por ekskluzivisht përgjegjësi e kryetarit të Kuvendit”, tha Toska.

Pas përplasjeve, Gashi dha pauzë dhe ftoi koordinatorët e grupeve parlamentare në takim, me qëllim që të merren vesh për renditjen e deputetëve dhe të shmangen ndërprerjet e vazhdueshme të seancës.

Afrim GashiBashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Dijana ToskaLidhja Shqiptare (LSH) ish Aleanca e SelësParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutQeveria e Maqedonisë së VeriutZiadin Sela