Mbi 26.000 qytetarë në Maqedoninë e Veriut do të marrin mbi 140 milionë denarë, të cilat kompanitë e kredive të shpejta i kanë arkëtuar në mënyrë të paligjshme. Këtë e bëri të ditur zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, duke njoftuar se Inspektorati Shtetëror i Tregut ka kryer kontrolle në të gjitha 27 shoqëritë financiare të licencuara në vend, transmeton Portalb.mk.
Sipas Mitevës, ky është një proces i realizuar për herë të parë në këtë përmasë dhe rezultat i tij është detyrimi i kompanive për të kthyer mbi 140 milionë denarë te qytetarët. Ajo tha se kontrollet janë realizuar pas vendimit të Qeverisë për të shqyrtuar punën e të gjitha shoqërive financiare që ofrojnë kredi të shpejta.
Ndërkaq, ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, njoftoi se gjatë kontrolleve janë shqiptuar 18 masa inspektuese, ndërsa gjobat për kompanitë mund të arrijnë deri në 100.000 euro. Sipas tij, shuma që duhet t’u kthehet qytetarëve mund të arrijë nga 140 deri në 200 milionë denarë.
Kujtojmë se me ndryshimet në ligjin për shoqëritë financiare të paralajmëruara nga Ministria e Financave në qershor, kreditë e shpejta nuk do të jepen më në dorë, por vetëm në llogari bankare; kompanitë e kredive të shpejta do të duhet të krijojnë organe të brendshme auditimi. Me rregullat e reja parashikohet një shtrëngim i ndjeshëm i kushteve të punës për kompanitë që japin kredi të shpejta.
Në vitet e fundit është vërejtur një rritje serioze e kërkesës për kredi të shpejta, sipas analizave të Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut. Sipas të dhënave të fundit për vitin 2024, në “dyqanet e parave të gatshme” janë qarkulluar 169 milionë euro, që është 12 milionë euro më shumë se në vitin 2023. Për krahasim, në vitin 2021 ky biznes vlente 119 milionë euro.
Inspektorët këtë vit kanë vërejtur edhe praktika të tjera problematike, si reklamimi i kredive të shpejta nën marka të ndryshme pa treguar qartë se cila shoqëri financiare e ofron shërbimin.
Një “dyqan parash” përdor disa faqe interneti dhe emra të ndryshëm për promovimin e kredive të shpejta në krahasim me emrin e shënuar në licencën e punës të lëshuar nga Ministria e Financave. Megjithatë, kompanitë nuk janë sanksionuar, por vetëm janë paralajmëruar për parregullsitë.
Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, një praktikë tregtare konsiderohet mashtruese nëse reklama nuk përmban informacione kyçe që konsumatori të mund të marrë një vendim të informuar.
Hulumtimet e IRL dhe BIRN Prizma zbuluan një sërë abuzimesh me të dhënat personale të qytetarëve që kishin përfunduar me kredi që nuk i kishin kërkuar vetë, por që ishin marrë në emrin e tyre nga persona të tjerë.
Procedura e shkurtër për marrjen e këtyre kredive – brenda gjysmë ore dhe vetëm me një dokument – i bën ato tërheqëse për qytetarët, të cilët shpesh nuk janë të informuar se pas tyre fshihen kosto shumë të larta.
Ndryshe nga bankat, të cilat rregullohen nga Banka Popullore, shoqëritë financiare mbikëqyren nga Ministria e Financave, prandaj japin kredi shumë më lehtë, ndërsa rrezikun e kompensojnë me kosto të larta për klientët.
Pjesa më e madhe e fitimeve nga biznesi i kredive të shpejta në vend përfundon te kompanitë e themeluara me kapital të huaj. Milionerë nga Letonia, Çekia, Estonia dhe veçanërisht nga Bullgaria zotërojnë kompani që ofrojnë kredi jobankare në tregun maqedonas.
Sipas të dhënave të fundit nga regjistri i Ministrisë së Financave, në vend ekzistojnë 26 kompani që ofrojnë kredi të shpejta. Nga 12 kompani me kapital të huaj, shtatë janë në pronësi të biznesmenëve bullgarë.
Sipas Bankës Popullore, ulja e numrit të kompanive lidhet me ndryshimet ligjore të korrikut 2023, kur u forcuan rregullat e funksionimit dhe kontrolli i rreziqeve në këtë sektor, duke e ulur numrin e kompanive nga 35 në 27.
Megjithatë, të njëjtat të dhëna tregojnë se pavarësisht numrit më të vogël të kompanive, kreditë e miratuara prej tyre janë rritur me 9.6 përqind.
Edhe pse kreditë e shpejta përbëjnë një pjesë relativisht të vogël të sistemit financiar, ato mund të krijojnë probleme serioze për një pjesë të popullsisë. Ato përfaqësojnë rreth 7 përqind të borxhit total të familjeve, ndërsa 92.4 përqind e borxhit vjen nga kreditë bankare.
Banka Popullore paralajmëron se rreziku nga këto kompani nuk është sistemik, por mund të jetë i madh për kategoritë më të cenueshme të qytetarëve dhe t’i çojë ata në mbingarkesë me borxhe.
“Nga këto shoqëri financiare ekziston rreziku i mbingarkesës me borxhe të shtresave të caktuara të popullsisë, veçanërisht atyre me të ardhura më të ulëta, për shkak të qasjes më të lehtë në financim krahasuar me standardet më të rrepta të bankave, por edhe për shkak të kostos më të lartë totale të kredive”, thuhet në raportin e Bankës Popullore.
Kreditë e dhëna nga këto shoqëri financiare vazhdojnë të jenë ndër më të shtrenjtat në treg. Të ardhurat që ato realizojnë nga aktiviteti kreditor tejkalojnë 50 përqind të vlerës së kontratave aktive të kredive, shumë herë më tepër se bankat, ku norma mesatare e kostove totale është rreth 7 përqind.