Për herë të brenda një viti do të shtrenjtohet ngrohja qëndrore. Derisa dimri troket në dyert e qytetarëve të Shkupit, trokasin edhe edhe shtrenjtimet në xhepat e tyre. Nga 1 dhjetori, çmimi i energjisë termike për amvisëritë në Shkup do të rritet mesatarisht për 7,56 përqind për konsumatorët që furnizohen nga EMV-ja, ndërsa për konsumatorët e “Energy Ecolink”, ish-ngrohtorja “Skopje Sever”, korrigjimi do të jetë 5,84 për qind, njoftoi sot KRRE, transmeton Portalb.mk.
Sipas Komisionit Rregullator, me vendimin e ri fatura mesatare mujore do të rritet për 188 denarë dhe do të arrijë në 2.681 denarë.
Nga KRRE-ja bëjnë të ditur se shtrenjtimi i ngrohjes qendrore vjen si rezultat i rritjes së çmimit të gazit natyror, të shkaktuar nga zhvillimet gjeopolitike. Vendimi është marrë pas kërkesave të jashtëzakonshme të parashtruara nga të gjitha kompanitë që furnizojnë konsumatorët me energji termike në kryeqytet, për ndryshimin e të ardhurave maksimale të rregulluara dhe rishikimin e çmimit të përcaktuar në korrik, i cili zbatohet nga 1 gushti i vitit 2026.
Korrigjimi i çmimit të energjisë termike përfshin amvisëritë që furnizohen nga “EMV Furnizim”, “EMV Distribuim”, “EMV Prodhimi i Nxehtësisë” dhe “EMV Energjetika”, si dhe konsumatorët e “Energy Ecolink”. Me ngrohje qendrore në Shkup furnizohen rreth 70.000 konsumatorë.
Rritja e çmimit të energjisë termike vjen edhe përkundër paralajmërimeve të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili para katër ditësh deklaroi se do të bëjnë gjithçka që të mos ketë shtrenjtim të energjisë elektrike dhe ngrohjes qendrore.
Më herët, kryetari i KRRE-së, Aco Ristov, tha se kompanitë kishin kërkuar shtrenjtim prej 45 deri në 50 përqind, por se një rritje e tillë ishte e papranueshme. Ai kishte paralajmëruar se priste që rritja e çmimit të ngrohjes qendrore të ishte nga 6 deri në 8 përqind.
Kujtojmë se Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) edhe në korrik miratoi vendim, duke filluar nga 1 gushti, çmimi i energjisë termike për amvisëritë që furnizohen përmes EMV Furnizimi, EMV Distribuim dhe EMV Prodhimi i Energjisë Termike të rritet mesatarisht me 5,96 përqind.