Lopët e Kriva Pallankës prapa grilave, do të vendosen në burgjet e Idrizovës dhe Prilepit

Bagëtitë e konfiskuara në territorin e Komunës së Kriva Pallankës, në fazën fillestare do të vendosen në institucionet ndëshkuese-korrektuese të Idrizovës dhe Prilepit. Kështu parashikon plani aksional për largimin e bagëtive në Kriva Pallankë, i miratuar në mbledhjen e fundit të Qeverisë, transmeton Portalb.mk.

Siç njoftuan nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, sot ka filluar zbatimi operacional i planit, ndërsa në mbledhjen e Shtabit Koordinues janë përcaktuar aktivitetet konkrete dhe detyrimet e institucioneve të përfshira në këtë proces.

“Me vendosjen e këtij mekanizmi të koordinimit institucional krijojmë parakushtet operative për tejkalimin sistematik dhe të përhershëm të problemit me të cilin përballen banorët e Kriva Pallankës. Prioritet është mbrojtja e qytetarëve, pronës së tyre dhe prodhimit bujqësor, përmes zbatimit efikas të zgjidhjeve ligjore, duke respektuar njëkohësisht standardet për mbrojtjen shëndetësore dhe mirëqenien e kafshëve. Është thelbësore që çdo institucion ta realizojë me përgjegjësi dhe efikasitet pjesën e vet të obligimeve të marra”, deklaroi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski.

Si hap i radhës është paraparë hartëzimi i lokacioneve ku ndodhen bagëtitë, me qëllim përcaktimin e numrit të tyre, shpërndarjes dhe qasjes në terren.

Sa i përket strehimit dhe menaxhimit të mëtejshëm të bagëtive të konfiskuara, në fazën fillestare është paraparë që kafshët t’u dorëzohen institucioneve ndëshkuese-korrektuese të Idrizovës dhe Prilepit. Gjithashtu, është shqyrtuar mundësia që gjatë procesit dhe në përputhje me dispozitat ligjore, një pjesë e bagëtive t’u jepet në shfrytëzim shoqatave të blegtorëve dhe blegtorëve të rinj.

Në zbatimin e Planit Aksional për trajtimin e problemit me bagëtitë në Kriva Pallankë janë përfshirë shtatë institucione shtetërore, përkatësisht dy ministri, dy agjenci, një drejtori, një qendër dhe një byro.

Bëhet fjalë për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Agjencinë për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar, Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Qendrën për Menaxhimin e Krizave dhe Byronë për Vlerësim.

Banorët e Kriva Pallankës dhe fshatrave përreth më 21 nëntor protestuan duke kërkuar siguri, mbrojtje të pronës dhe zbatim urgjent të vendimeve për marrjen e rreth 1.000 lopëve që lëvizin pa kontroll nëpër qytet dhe shkaktojnë dëme në pronat dhe kulturat bujqësore. Nga MPB, njoftuan se policia vendosi kordon në rrugën magjistrale Kriva Pallankë – Deve Bair dhe në rrugën “Shën Joakim Osogovski”, ndërsa protesta përfundoi pa incidente serioze.

Protesta vjen pas kërkesës së Shtabit Komunal të Krizës që Qeveria të shpallë gjendje krize për 30 ditë. Më 18 nëntor janë dorëzuar edhe kallëzime penale, ankesë në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe kërkesë për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese. Kërkesat kryesore të qytetarëve janë zbatimi urgjent i vendimeve të miratuara, përcaktimi i përgjegjësisë institucionale dhe mbrojtja konkrete e qytetarëve dhe pronës së tyre.

Ndërkohë, një hulumtim i BIRN-it nga dhjetori i vitit 2025 zbuloi se shteti zyrtarisht i kishte marrë bagëtitë nga blegtori Goce Gjorgjievski dhe tri vajzat e tij që para rreth një viti e gjysmë, pas ndryshimeve në Ligjin për Mirëqenien e Kafshëve. Megjithatë, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) figuron si pronare e bagëtive vetëm në dokumentacion, ndërsa në terren situata ka mbetur e pandryshuar. Lopët vazhdojnë të enden pa mbikëqyrje në zonat malore dhe shpesh kalojnë edhe kufirin shtetëror.

Rasti është shoqëruar edhe me një varg procedurash ligjore të pasuksesshme. Një kallëzim policor i vitit 2018 kishte zbuluar një rrjet bashkëpunëtorësh, përfshirë veterinerë dhe kontrollorë shtetërorë, të cilët i kishin mundësuar pronarit të përfitonte në mënyrë të paligjshme subvencione në vlerë prej 70.000 eurosh.

Edhe pse rasti ishte përcjellë në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për vite me radhë nuk ishte hapur hetim. Pas ndryshimeve në Kodin Penal në vitin 2023, vepra penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare kishte parashkruar, ndërsa lënda ishte kthyer në Prokurorinë e Kumanovës.

Pavarësisht vendimeve institucionale dhe procedurave të ndërmarra ndër vite, problemi me bagëtitë në Kriva Pallankë vazhdon, ndërsa qytetarët kërkojnë që institucionet të kalojnë nga vendimet në letër në veprime konkrete.

Kafshë