Një 38-vjeçar nga Shkupi, B. J., është arrestuar dje dhe ndaj tij është ngritur kallëzim penal me procedurë të shpejtë për veprën penale të vrasjes, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.
B. J. dyshohet se ka kryer vrasjen e 38-vjeçarit Sh. E. nga fshati Lubin i Shkupit, e cila ndodhi më 21 të këtij muaji në unazën “Nëna Terezë”, në afërsi të fshatit Smillkovc.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se me B. J. është zhvilluar bisedë zyrtare, gjatë së cilës ai ka sqaruar mënyrën e kryerjes së veprës penale.
Ndërkaq, sot, MPB-ja në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike në Shkup dhe Njësinë për Krim të Dhunshëm – Departamentin për Delikte të Gjakut dhe Seksuale pranë SPB-së Shkup, kanë ngritur kallëzim penal me procedurë të shpejtë kundër B. J. për veprën penale të vrasjes, sipas nenit 123 të Kodit Penal.
Ndryshe, të shtunën, rreth orës 06:00 të mëngjesit, në SPB Shkup ishte raportuar se në unazën pranë Smillkovcit ishte gjetur një person pa shenja jete. Në afërsi të trupit ishte gjetur edhe një veturë e tipit “Mercedes”, me targa të Shkupit, të cilën më parë e kishte drejtuar Sh. E.