18 vite pas hekurave, Dauti: Agim Islami nuk e ka humbur shpresën për lirim

Agim Islami, i dënuar me burgim të përjetshëm në rastin “Alfa”, ka mbushur 18 vite në burg dhe ka hyrë në vitin e 19-të të vuajtjes së dënimit. Shoku i tij, Ramiz Dauti, thotë se Agimi vazhdon të shpresojë se një ditë do të lirohet, ndërsa familja kërkon rishikimin e rastit, shkruan Portalb.mk.

Ramiz Dauti, shok i Agim Islamit, thotë se ai çdo ditë zgjohet me shpresën se do të marrë lajmin për lirimin e tij. Sipas tij, Agimi është i bindur se nuk ka qenë i përfshirë në rastin për të cilin është dënuar.

“Ai e pret lirinë më shumë se ne, që e mbrojmë dhe kërkojmë drejtësi nga jashtë, për shkak se ai e di veten që është i pastër dhe nuk është i përfshirë në atë rast. Agimi është shumë i vetëdijshëm dhe çdo ditë që zgjohet ai është me shpresë që do t’i vijë një letër në burg dhe ai do ta shijojë lirinë”, tha Dauti për Portalb.mk.

Dauti shpreson që kërkesa për rishikimin e rastit të marrë një epilog dhe Agimi të ketë mundësi për rigjykim.

“Padyshim që kemi shpresë që Agimi të fitojë një rishikim dhe gjykim fer. Duke u bazuar te pafajësia e Agimit, te ajo që unë kam qenë dëshmitar i rastit në vitin kur ka ndodhur ngjarja, me faktin që Agimi është plotësisht i pafajshëm, pa asnjë përfshirje, ne mendojmë që duhet të ketë një rigjykim dhe shpresojmë në të”, thotë Dauti.

Gjendja shëndetësore e Agim Islamit është rënduar në burg

Kohë më parë, Dauti përmes Portalb.mk ngriti shqetësimin për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të Agim Islamit, pas 18 vitesh në burg. Ai bëri të ditur se familja ishte takuar me zëvendëskryeministrin Bekim Sali dhe ish-zëvendëskryeministrin Izet Mexhiti, por ende ishte në pritje të një zgjidhjeje konkrete për rishikimin e rastit.

“Kemi pasur takim me ish-zëvendëskryeministrin Izet Mexhitin, kemi pasur edhe me Bekim Salin dhe ende jemi në pritje për diçka konkrete. Na kanë thënë që kanë mirëkuptim me palën maqedonase të koalicionit, VMRO-në, që të gjendet ndonjë zgjidhje ligjore për ta rishikuar rastin edhe njëherë. Kjo pjesë prapë ngelet nga politika, a do të formohet komision, apo metodologjia si do të jetë, presim nga ata”, kishte deklaruar Dauti.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Bekim Sali, në një prononcim për Portalb.mk, ishte shprehur i gatshëm të ndihmonte në sigurimin e trajtimit të nevojshëm mjekësor për Agim Islamin.

“Sa i përket gjendjes shëndetësore të Agim Islamit, shëndeti dhe dinjiteti i çdo personi të privuar nga liria duhet të mbrohen. Institucionet përgjegjëse kanë detyrimin të sigurojnë kujdesin e nevojshëm shëndetësor. Për këtë jam i gatshëm ta ofroj ndihmën time, sepse këtë ia kemi detyrim secilit qytetar”, kishte deklaruar Sali.

Sa i përket kërkesës për rishikimin e rastit “Alfa”, Sali kishte theksuar se vendimet për këtë çështje janë në kompetencë të organeve të drejtësisë dhe se duhet të ruhet pavarësia e gjyqësorit.

“Por, duhet të jemi të qartë se vendimet gjyqësore dhe procedurat për rishikimin e tyre janë kompetencë e organeve të drejtësisë. Ne duhet ta ruajmë pavarësinë e gjyqësorit, gjithnjë duke u angazhuar që çdo mundësi e paraparë me ligj të shqyrtohet me seriozitet”, ishte shprehur Sali.

Rasti “Alfa”

Kujtojmë se Rasti “Alfa” lidhet me vrasjen e pjesëtarit të njësitit policor “Alfa”, Afrim Arifi, më 26 nëntor 2008 në Shkup. Për këtë vrasje, Agim Islami dhe Rexhail Qerimi u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Ramadan Shaqiri me gjashtë vjet burg. Rexhail Qerimi vdiq në burgun e Idrizovës më 27 janar 2022.

Gjykata Penale në Shkup në dhjetor të vitit 2024 e refuzoi kërkesën e Agim Islamit për përsëritjen e gjykimit. Në prill të vitit 2025, Gjykata e Apelit e refuzoi edhe ankesën kundër këtij vendimi.

Bekim SaliGjykatës(e) - Gjykim - GjyqësorRasti Alfa